top of page

Konfirmohet rasti me malarie në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë jep detajet!

6 hours ago
1 min read

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar një rast me malarie në Shqipëri. Sipas njoftimit zyrtar, pacienti është trajtuar në kohë në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë QSUT-së dhe aktualisht paraqitet në gjendje të përmirësuar shëndetësore.


Pas marrjes së trajtimit mjekësor dhe përmirësimit të gjendjes, pacienti ka dalë nga spitali. Ministria bën me dije se trajtimi është kryer në përputhje me protokollet përkatëse mjekësore.


Sipas të dhënave të Sistemit Elektronik të Sëmundjeve Infektive (SISI), gjatë periudhës 2022–2026 në Shqipëri janë raportuar gjithsej 12 raste me malarie. Konkretisht, një rast është regjistruar në vitin 2022, pesë në vitin 2023, tre në vitin 2024, dy në vitin 2025 dhe një gjatë vitit 2026.


Instituti i Shëndetit Publik thekson se të gjitha rastet kanë qenë të importuara, pasi personat janë ekspozuar ndaj infeksionit jashtë territorit shqiptar. Sipas ISHP-së, gjatë pesë viteve të fundit nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit të malaries brenda vendit.


Ndërkohë, një ekip multidisiplinar i Institutit të Shëndetit Publik, i përbërë nga specialistë të epidemiologjisë, entomologjisë dhe shëndetit në punë, po kryen vlerësime epidemiologjike dhe entomologjike në terren.

“KORÇA BOOM”


bottom of page