Korça ëndërron sërish Europën, por a do të ketë Skënderbeu lojtarët e dikurshëm?
- 1 hour ago
- 1 min read
Ngjitja e Skënderbeut në Abisnet Superiore ka ringjallur edhe më shumë dëshirën e tifozëve korçarë për të parë sërish një Skënderbe europian, ashtu siç e lanë në kujtesë para dhjetë vitesh, kur skuadra bardhekuqe shkruante historinë dhe ngrinte lart emrin e Korçës.
Sot, nostalgjia vjen edhe përmes fotove të asaj kohe, imazhe që rikthejnë emocionet e një ekipi të jashtëzakonshëm. Në to shfaqen futbollistët korçarë që pas çdo ndeshjeje dilnin si heronj, lojtarë që jepnin gjithçka në fushë për fanellën, për qytetin dhe për tifozët që i mbështesnin pa kushte.
Këto kujtime bëjnë që pyetja të lindë natyrshëm mes tifozëve: a do t’i ketë vallë Skënderbeu këtë sezon futbollistë të tillë? Lojtarë që jo vetëm luajnë për kontratën, por e ndjejnë peshën e fanellës dhe japin shpirtin në çdo ndeshje.
Kjo mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: nëse korçarët duan të rikthejnë atë ekip legjendar që dikur pushtoi Shqipërinë dhe Europën, atëherë duhet më shumë se një skuadër profesionistësh. Duhet lojtarë që të bëhen njësh me qytetin, me historinë dhe me ëndrrën e madhe të tifozërisë bardhekuqe.
“KORÇA BOOM”
















