Korçë: Procedime penale për vjedhje milionëshe, kanosje dhe dhunë, zbardhet edhe shkaku i zjarrit fatal
- Korca Boom
- Jan 16
- 2 min read
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka referuar një sërë materialesh në Prokurori, ku kanë nisur procedime penale për disa ngjarje të rënda të ndodhura në qarkun e Korçës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë nisur procedimin penal për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, ndaj dy shtetaseve nga Bilishti. Bëhet fjalë për P. Sh., 29 vjeçe, përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë në Devoll dhe E. Ç., 27 vjeçe, arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll.
Nga hetimet dyshohet se gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, ato kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës. Sipas Policisë, 29-vjeçarja dyshohet se ka përvetësuar fonde të pensioneve dhe ndihmës ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre, ndërsa 27-vjeçarja dyshohet se ka manipuluar dhe falsifikuar mandatpagesa dhe evidenca financiare për të favorizuar vjedhjen. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq kanë nisur procedim penal ndaj një 70-vjeçari, banues në fshatin Kolanec, për veprën penale “Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”. Ky shtetas u shfaq në një video të publikuar në rrjete sociale, ku kërcënonte për jetën autorët e dyshuar të vrasjes së djalit të tij, ngjarje e ndodhur në qershor 2022, pas ndryshimit të masës së sigurisë ndaj tyre nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Po ashtu, Policia e Korçës ka referuar materialet në Prokurori edhe për një 40-vjeçar nga fshati Çiflig, i cili dyshohet se ka fyer dhe goditur në fytyrë, për shkak të detyrës, një punonjës sigurie në ambientet e jashtme të spitalit të Korçës.
Në një tjetër rast, Policia ka bërë me dije se nga hetimet për zjarrin e rënë në banesën e një 73-vjeçareje në lagjen nr. 15 të qytetit të Korçës, ku ajo humbi jetën nga asfiksia, ka rezultuar se shkaku ka qenë një shkëndijë elektrike.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
"KORCA BOOM"



















