Kryeministri: Ndryshimet në ligjin e Arsimit të Lartë do të bëhen me grup pune dhe bashkëpunim me universitetet
- Jan 15
- 1 min read
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se do të ketë një rishikim të ligjit për Arsimin e Lartë. Gjatë fjalës së tij në një takim me rektorët e universiteteve, Rama u shpreh se nuk do të pritet sesioni i ardhshëm parlamentar për të përgatitur ndryshimet e reja ligjore.
Ai theksoi se ka kaluar një periudhë e mjaftueshme kohe për të reflektuar mbi ndryshimet që ka sjellë realiteti aktual dhe se ligji do të rishikohet në bashkëpunim me universitetet, ashtu siç është bërë edhe më parë.
“Kemi një praktikë të mirë bashkëpunimi. Ligji aktual është hartuar me kontributin tuaj dhe kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Bëhet fjalë për korrektime, ndaj besoj se mund ta realizojmë këtë proces në një kohë të arsyeshme, pa pritur sesionin tjetër parlamentar. Me rëndësi është të organizohemi me një grup pune për të shkruar ndryshimet,” u shpreh Rama.
Më tej, Kryeministri theksoi se një nga sfidat kryesore për universitetet shqiptare mbetet ndërkombëtarizimi, si edhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Sipas tij, ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj financimit, ku universitetet kanë rritur kapacitetet financiare përtej buxhetit të shtetit.
Rama solli si shembull Universitetin e Tiranës, i cili ka arritur të ndërtojë projekte europiane dhe të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian, duke rritur të ardhurat e pedagogëve më aktivë dhe duke krijuar një situatë të re financiare.
Ai shtoi se në takimin e ardhshëm synohet një diskutim i hapur mbi këtë proces, duke ftuar jo vetëm rektorët e universiteteve publike, por edhe ata të universiteteve private.
"KORCA BOOM"
















