top of page

Kthesë në hetimet për vdekjen e aktores turke, dalin detaje të reja

  • 10 hours ago
  • 2 min read

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e papritur të aktores së njohur turke Ece İrtem, e cila ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare, vetëm një ditë pasi festoi ditëlindjen e saj.


Sipas mediave turke, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar raportin paraprak të ekspertizës. Dokumenti nuk ka konstatuar shenja dhune, helmimi apo trauma në trupin e aktores, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që vdekja të ketë ardhur si pasojë e një ataku kardiak. Megjithatë, autoritetet theksojnë se shkaku përfundimtar do të përcaktohet vetëm pas publikimit të raportit të plotë të autopsisë.


Pas vdekjes së saj më 15 qershor, Prokuroria ka nisur hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Avokati i familjes, Uğur Gökkoyun, ka bërë të ditur se aktorja ndërroi jetë në banesën e saj gjatë orëve të paradites dhe se të gjitha pistat janë duke u verifikuar nga autoritetet kompetente.


Në dosjen hetimore janë përmendur edhe pretendime se Ece İrtem mund të ketë qenë nën trajtim me antidepresantë dhe se një natë para vdekjes kishte konsumuar alkool së bashku me medikamente me recetë.

Deri në këtë fazë të hetimeve, këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht.


Një tjetër pistë që po verifikohet lidhet me një kafshim të mundshëm majmuni gjatë një udhëtimi të aktores në Tajlandë. Sipas avokatit të familjes, në trupin e saj janë vërejtur disa shenja dhe është kërkuar që ekspertët të përcaktojnë nëse ato mund të kenë shkaktuar komplikacione shëndetësore. Edhe kjo hipotezë mbetet ende në fazën e hetimit.


Ndërkohë, avokati ka përgënjeshtruar deklaratat e publikuara në disa media dhe të atribuuara nënës së aktores, duke sqaruar se ajo ndodhet ende në gjendje të rënduar emocionale dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare.


Hetimet për vdekjen e Ece İrtem vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të hedhin dritë mbi shkakun e saktë të ndarjes së saj nga jeta pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore.

“KORÇA BOOM”


bottom of page