top of page

Kujdes në këto temperatura! Gomat mund të kthehen në rrezik serioz në rrugë

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Temperaturat e larta të verës nuk përbëjnë rrezik vetëm për njerëzit, por edhe për automjetet, veçanërisht për gomat, të cilat janë ndër komponentët më të ndjeshëm ndaj nxehtësisë ekstreme.


Ekspozimi i zgjatur ndaj diellit dhe temperaturave të larta mund të përshpejtojë ndjeshëm plakjen e gomave. Materiali i tyre humbet elasticitetin, thahet dhe me kalimin e kohës mund të shfaqen çarje të vogla në sipërfaqe apo në anët e gomës.


Ekspertët paralajmërojnë se këto dëmtime rrisin ndjeshëm rrezikun e humbjes së presionit apo edhe të shpërthimit të gomës gjatë lëvizjes, sidomos në udhëtime të gjata.


Për të shmangur problemet, drejtuesit e mjeteve këshillohen që gjatë ditëve të nxehta t’i parkojnë automjetet në hije sa herë që është e mundur, në mënyrë që gomat të mos ekspozohen drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit. Në mungesë të hijes, mbulesat mbrojtëse mund të jenë një alternativë e mirë.


Një tjetër element kyç për sigurinë është kontrolli i rregullt i presionit të gomave. Presioni shumë i ulët ose shumë i lartë shkakton konsum më të shpejtë dhe ul ndjeshëm sigurinë në rrugë.


Gjithashtu, rekomandohet kontrollimi i vazhdueshëm i gomave për shenja të “plakjes së thatë”, si çarje, deformime apo ndryshime në sipërfaqe.


Nxehtësia e madhe, asfalti përvëlues dhe shpejtësia e lartë krijojnë ngarkesë shtesë mbi gomat, ndaj mirëmbajtja e tyre mbetet thelbësore për sigurinë gjatë sezonit veror.

“KORÇA BOOM”


bottom of page