Kur Krijuesi përjetoi dhimbjen e krijesës së Tij
- 3 days ago
- 2 min read
Sot, në këtë ditë të shenjtë të së Premtes së Zezë, njerëzimi kujton një mister të thellë dhimbjeje dhe dashurie që tejkalon çdo kuptim njerëzor. Kisha përkulet me përulësi përpara Misterit të Kryqit.
Sot, Ai që dikur udhëhoqi popullin në shkretëtirë me dorë të fuqishme, mbërthehet në kryq. Ai që çliroi nga skllavëria, përballet me urrejtjen njerëzore.
Sot varet mbi dru Ai që vendosi rendin e krijimit, që dha ligj për detet dhe tokën. Krijesa ngre dorë mbi Krijuesin.
Sot mbërthehet me gozhdë Dhëndri i Kishës, Ai që erdhi për dashuri dhe shpëtim. Duart që bekonin, shpohen. Këmbët që kërkonin të humburin, ndalen në kryq. Ai që mban gjithësinë, mbahet nga gozhdët e njerëzve.
Sot i vihet kurorë me gjemba Mbretit të Engjëjve. Ai që mbretëron në lavdi, përulët në heshtje. Gjembat shpojnë ballin e Atij që bekoi botën me mëshirë.
Sot vishet me të purpurt të talljes Ai që veshi qiellin me re. Ai që zbukuroi krijimin, zhvishet nga dinjiteti për hir të njeriut.
Sot duron vuajtjet Ai që shëroi të plagosurit dhe ngriti të rënët. Fytyra e Tij që ndriçonte si drita, përballet me errësirën e shpirtit njerëzor.
Sot shpohet në brinjë i Biri i Virgjëreshës, dhe prej Tij rrjedh gjak dhe ujë, burim jete për botën. Ai që çliroi popullin, bëhet vetë plagë për shpëtimin e njerëzimit.
Sot i japin vrer dhe uthull Atij që ushqeu me manë në shkretëtirë. Ai që dha bukën e jetës, merr hidhërimin e mosmirënjohjes.
Sot qielli gjëmon dhe toka dridhet. Dashuria kryqëzohet, por nuk shuhet, sepse edhe mbi kryq Ai lutet: Fali, o Atë, sepse nuk dinë se çfarë bëjnë.
Sot është dita e dhimbjes, por edhe e shpresës. Dita kur errësira duket se fiton, por në heshtje lind drita e Ngjalljes.
Prandaj, me zemër të përulur dhe shpirt të thyer, le të themi: U falemi Pësimeve të Tua. Na trego Ngjalljen Tënde të lavdëruar, që përmes kryqit të mësojmë dashurinë, përmes dhimbjes të gjejmë shpresën dhe përmes vdekjes të besojmë në jetën e pasosur.
“KORÇA BOOM”
















