Kush kanë qenë drejtuesit e Bankës së Shqipërisë në 30 vitet e fundit
- Dec 25, 2025
- 2 min read
Pas rënies së komunizmit, Shqipëria iu nënshtrua një reforme të thellë në sektorin financiar, e cila solli ndryshime rrënjësore në funksionimin e sistemit bankar. Nga një model pothuajse monobankar, vendi kaloi në një sistem me dy nivele: bankat e nivelit të dytë, që operojnë në tregun e përditshëm financiar, dhe banka qendrore, e cila u zyrtarizua me miratimin e ligjit në prill të vitit 1992.
Në këtë kuadër, institucioni ndryshoi edhe emërtimin, nga Banka e Shtetit Shqiptar në Bankën e Shqipërisë. Ajo është një bankë me kapital tërësisht shtetëror dhe përgjigjet përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në krye të saj qëndron Guvernatori, i cili ushtron njëkohësisht funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Guvernatori është përgjegjës për zbatimin e politikave dhe vendimeve të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, si dhe për drejtimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e administrimit të operacioneve të Bankës së Shqipërisë. Ai zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës, për një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.
Guvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë pas viteve ’90 ishte Ilir Hoti, i cili qëndroi në detyrë nga maji i vitit 1992 deri në shtator 1993. Pas tij, drejtimin e institucionit e mori Dylber Vrioni, që ushtroi funksionin deri në dhjetor 1994. Më pas, në krye të Bankës u emërua Kristaq Luniku, i cili qëndroi në detyrë deri në prill 1997.
Në një nga periudhat më të vështira për vendin, pas krizës së vitit 1997, drejtimin e Bankës së Shqipërisë e mori Qamil Tusha, i cili qëndroi në detyrë deri në tetor të po atij viti. Ai u pasua nga Prof. Dr. Shkëlqim Cani, i cili drejtoi institucionin nga gushti 1997 deri në tetor 2004, një periudhë gjatë së cilës sistemi bankar shqiptar nisi procesin e rimëkëmbjes dhe konsolidimit.
Nga tetori 2004 deri në shtator 2014, Banka e Shqipërisë u drejtua nga Ardian Fullani. Që prej shkurtit të vitit 2015, në krye të institucionit qëndron Guvernatori Gent Sejko, i cili u rizgjodh për një mandat të dytë më 24 shkurt 2022.
Banka e Shqipërisë vijon të mbetet një nga institucionet kyçe për stabilitetin financiar dhe monetar të vendit, ndërsa drejtimi i saj ndër vite ka reflektuar sfidat dhe zhvillimet ekonomike të Shqipërisë pas viteve ’90.
"KORCA BOOM"
















