top of page

Kush është korçari që u arratis nga spitali në Greqi? Detajet që dalin në dritë

13 minutes ago
2 min read

G. Ç., 41 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë, është shqiptari që u arratis në mënyrë spektakolare mbrëmjen e së premtes nga Spitali i Serres në Greqi, gjatë transportimit nën masa të forta sigurie nga burgu i Nigritës.


Emri i tij rezulton i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke, pasi ndër vite është përfshirë në disa çështje penale.


Në korrik të vitit 2024, G. Ç. u dënua në Shqipëri me dy vite burg për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese. Çështja lidhej me djegien e një automjeti më 24 prill 2023, në lagjen nr. 13 të Korçës.


Fillimisht ndaj tij ishte vendosur masa “Arrest në burg”, ndërsa më pas gjykata e kishte zbutur masën në “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Garanci pasurore”.


Më herët, në janar 2023, ai ishte proceduar nga policia në kuadër të operacionit “Fijet”, pasi pranë banesës së tij ishin konstatuar kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.

Por ngjarja më e rëndë ku përmendet emri i G. Ç. është ajo e 3 shtatorit 2024 në Pylaia të Selanikut.


Sipas autoriteteve greke, 41-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj një 25-vjeçari grek jashtë një kantine. I riu u plagos me tre plumba, por arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa autori u largua nga vendngjarja.


Pas një periudhe kërkimesh, autoritetet greke zhvilluan një operacion për kapjen e tij në shtator 2025. Gjatë aksionit u arrestuan edhe E. B., 31 vjeç, dhe K. T., 24 vjeç, të dy nga Korça.


Sipas policisë greke, G. Ç. konsiderohej drejtues i një grupi kriminal që dyshohej se ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike dhe në akte të dhunshme.


Sipas dosjes së autoriteteve greke, gjatë tentativës për arrestim në Selanik, G. Ç. dhe K. T. nuk iu bindën urdhrave të policisë, përplasën një automjet policie dhe tentuan të largoheshin, por u kapën pas ndjekjes.


Gjatë kontrolleve të zhvilluara pas arrestimit, policia greke sekuestroi një kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, dokumente të dyshuara të falsifikuara identifikimi dhe drejtimi, 23,350 euro cash, telefona celularë dhe tre automjete.


Tashmë, pas arratisjes së bujshme nga Spitali i Serres, ku dyshohet se është ndihmuar nga persona të armatosur, autoritetet greke kanë nisur një operacion të gjerë për rikapjen e 41-vjeçarit dhe identifikimin e personave që dyshohet se kanë ndihmuar në arratisjen e tij.


Hetuesit po përpiqen gjithashtu të zbardhin mënyrën se si është organizuar arratisja dhe se si personat e përfshirë kanë mundur të ndërhyjnë gjatë transportimit dhe qëndrimit të tij në spital.

“KORÇA BOOM”


bottom of page