top of page

Ministrja sapo mori detyrën, përplasje për tenderin e dializës dhe shkarkohet drejtoresha

44 minutes ago
2 min read

Problemet në sektorin e Shëndetësisë vijojnë të jenë në qendër të debatit publik, veçanërisht sa i përket koncesioneve, tenderëve dhe menaxhimit të fondeve publike.


Ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, pak minuta pasi prezantoi prioritetet e saj, u shpreh se fokusi i saj do të jetë transformimi i sistemit shëndetësor. Por, ndërkohë që ministrja ka deklaruar objektivat e saj, në sistem kanë nisur edhe lëvizjet e para drejtuese.


Në qendër të zhvillimeve është Arisa Cane, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS), e cila, sipas raportimeve mediatike, menaxhonte buxhetet e tre shërbimeve të rëndësishme: sterilizimit, check-up-it dhe dializës.


Cane është shkarkuar nga detyra nga ministrja Klodiana Spahiu, pas një përplasjeje që lidhet me një tender për ofrimin e shërbimit të dializës.


Sipas burimeve mediatike, ministrja Spahiu kishte kërkuar që procedura të mos miratohej në këtë fazë, pasi kishte ngritur dyshime dhe kishte kërkuar sqarime të mëtejshme lidhur me ofertën dhe shërbimin që do të ofronte kompania fituese.


Por, sipas të njëjtave raportime, Cane ka vijuar procedurën dhe ka firmosur shpalljen fituese të kompanisë suedeze Diaverum, e cila ishte e vetmja pjesëmarrëse në garë.


Oferta e kompanisë kapte vlerën prej rreth 4.44 miliardë lekësh, ose rreth 48.2 milionë euro, për ofrimin e shërbimit të dializës për katër vitet e ardhshme.


Pas përfundimit të procedurës, ministrja Spahiu ka firmosur largimin e Arisa Canes nga detyra. Ndërkohë, sipas raportimeve, ka nisur edhe një verifikim i brendshëm lidhur me procedurën, rezultatet e të cilit pritet t'u përcillen edhe institucioneve ligjzbatuese nëse do të konstatohen shkelje.


Arisa Cane ishte emëruar në krye të Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS) në fillim të këtij viti.


Zhvillimi i fundit pritet të hapë një debat të ri mbi mënyrën e menaxhimit të shërbimeve shëndetësore, tenderëve dhe fondeve publike, në një sektor që prej vitesh është përballur me kritika dhe debate të forta publike.

“KORÇA BOOM”


bottom of page