Lajmi i fundit /Deklaratë zyrtare e KF Devolli: Kërkojmë drejtësi në fushë
- Korca Boom
- 5 hours ago
- 2 min read
Klubi i Futbollit Devolli është detyruar të dalë me këtë deklaratë për shtyp, pasi gjykimet që kemi përjetuar gjatë katër javëve të para të kampionatit na kanë detyruar të reagojmë publikisht.
Ne jemi përpjekur të qëndrojmë të ekuilibruar, duke besuar se me kalimin e javëve gjërat do të ndryshonin dhe drejtësia sportive do të mbizotëronte në fushë. Por realiteti po tregon të kundërtën: sa më korrekt, i edukuar dhe sportdashës të jesh, aq më shumë rrezikon të ndëshkohesh.
Gjithçka nisi që në ndeshjen e parë në Delvinë, ku, përtej çdo forme presioni, madje të dukshme edhe nga gjyqtarët, u përpoqëm të ruanim qetësinë, me bindjen se instancat e futbollit do të reflektonin. Por kjo nuk ndodhi.
Në javën e dytë, edhe pse fituam ndaj Shkumbinit, na u mohua një gol më se i rregullt, ndërsa kundërshtarët u favorizuan nga gjyqtari. Edhe atëherë heshtëm dhe e morëm si një gabim njerëzor, me shpresën se do të ishte rast i izoluar.
Por pas ndeshjes me Orikumin, nuk mund të flasim më për gabime njerëzore, gjithçka duket e qëllimshme. Një komunitet si ai i Devollit, i qetë, i kulturuar dhe mikpritës, nuk duhet ndëshkuar vetëm sepse nuk krijon kaos në fushë apo jashtë saj.Zotërinj me xhaketa të zeza, nuk mund të luani me ndjenjat dhe dashurinë për futbollin të këtij qyteti, që e mbështet me pasion dhe sakrificë ekipin e vet.
Në ndeshjen e fundit, një penallti e paqenë është dhënë kundër nesh, ndërsa kapiteni ynë përfundoi në spital me frakturë. Për më tepër, gjyqtari i nxori karton të verdhë dhe e kërcënoi me të dytin nëse do të shtrihej në fushë për shkak të dhimbjeve. Sot, kur dëmtimi është i konfirmuar mjekësisht, pyesim: a do të kërkojë falje gjyqtari për këtë vendim?Shëndeti i lojtarëve është mbi gjithçka. Nuk na intereson goli, por lojtari.
Rastet janë të shumta, por tani ka ardhur koha që edhe ne të marrim një vendim. Mos na detyroni të ndërmarrim veprime që as vetë nuk do t’i dëshironim. Ne nuk duam t’u heqim qytetarëve devollinj kënaqësinë e futbollit, por nuk do të lejojmë që dikush të shkelë me këmbë pasionin dhe përkushtimin e tyre.
U bëjmë thirrje Sektorit të Garës dhe Sektorit të Gjyqtarëve të marrin masa sa më parë. Kështu nuk mund të vazhdohet më.
"KORCA BOOM"



















