top of page

Ndryshim i rëndësishëm, check-up falas për të gjithë mbi 35 vjeç

  • 3 minutes ago
  • 1 min read

Qytetarët mbi moshën 35 vjeç pritet të përfitojnë nga shtatori kontrollin bazë shëndetësor falas, pa asnjë kufizim të sipërm moshor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i ka propozuar Këshillit të Ministrave heqjen e kufirit aktual të moshës për programin kombëtar të check-up-it.


Deri më tani, ky shërbim ofrohej falas vetëm për grupmoshën 35-70 vjeç. Me ndryshimin e propozuar, çdo qytetar mbi 35 vjeç, pavarësisht moshës, do të ketë të drejtën të kryejë kontrollin bazë shëndetësor pa pagesë.


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Sala, u shpreh se qëllimi i kësaj nisme është të garantohet akses i barabartë në shërbimet parandaluese për të gjithë qytetarët.


“Çdo qytetar mbi 35 vjeç, pavarësisht moshës, do të mund ta kryejë Check-Up falas. Kjo do të thotë se edhe qytetarët 70, 80 apo 90 vjeç do të kenë të njëjtën mundësi për të kryer kontrollet parandaluese, sepse kujdesi për shëndetin nuk ka kufi moshe”, deklaroi ministrja.

Gjatë një vizite në Pogradec, ku zhvilloi një takim me të moshuarit në qendrën sociale ditore, ministrja prezantoi edhe nisma të tjera në mbështetje të kësaj grupmoshe. Sipas saj, po punohet për ngritjen, për herë të parë, të shërbimit të geriatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si edhe për krijimin e një linje të dedikuar këshillimi për të moshuarit.


Nëse miratohet nga Këshilli i Ministrave, ndryshimi do të hyjë në fuqi gjatë muajit shtator, duke zgjeruar ndjeshëm numrin e përfituesve të programit kombëtar të kontrollit bazë shëndetësor.

“KORÇA BOOM”


bottom of page