top of page

Lajmi i fundit: Vlora në kaos, qytetarët ndërpresin Gala-n e festave për mungesën e ujit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Dec 28, 2025
  • 1 min read

Vlora u përfshi mbrëmjen e sotme nga një protestë e paprecedentë për mungesën e ujit të pijshëm. Dhjetëra qytetarë hynë në sallën ku po zhvillohej koncerti Gala i festave të fundvitit, në Teatrin “Petro Marko”, duke ndërprerë aktivitetin dhe duke kërkuar zgjidhje për krizën e ujit.


Me pankarta në duar që lexonin “Duam ujë” dhe “Vlora do ujë” dhe me thirrje kundër qeverisë, protestuesit hynë në sallë mes shfaqjes, duke shkaktuar kaos dhe ndërprerjen e menjëhershme të eventit. Artistët u larguan nga skena, ndërsa mbrëmja Gala u anulua.


Forca të shumta policie rrethuan sallën dhe ndërhynë për shpërndarjen e protestës. Disa qytetarë që thirrën parulla u shoqëruan nga policia, ndërsa salla u mbush me efektivë të rendit.


Sipas banorëve, kjo është hera e parë pas shumë dekadash që një protestë për një të drejtë bazike zhvillohet në këtë formë, brenda një eventi zyrtar. Qyteti i Vlorës ndodhet prej tre ditësh pa furnizim normal me ujë të pijshëm, duke shkaktuar revoltë dhe zemërim të gjerë qytetar.


Në protestë u panë edhe përfaqësues të së djathtës dhe qytetarë të shumtë, të cilët vërshuan drejt skenës së teatrit, duke kthyer mbrëmjen festive në një skenë tensioni dhe përplasjeje.


Situata mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje urgjente për krizën e ujit që ka paralizuar jetën e përditshme në qytetin bregdetar.

"KORCA BOOM"


bottom of page