top of page

Lamtumirë profesor Albert Karriqi!

4 hours ago
1 min read

Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare, Albert Karriqi. Profesori i Institutit të Kërkimit Shkencor të Sportit e njëkohësisht atleti kampion i klubit Tirana mbylli sytë sot përgjithmonë.


Lajmin e trishtë e kanë konfirmuar të afërmit dhe miqtë të profesionit të të ndjerit, të cilët ende nuk e besojnë largimin e tij.


Ai ishte i specializuar në Teorinë dhe Metodologjinë e Stërvitjes Sportive, si dhe në Filozofinë e Sportit, ndërsa përtej botës akademike, Prof. Dr. Albert Karriqi njihet gjerësisht nga publiku shqiptar si analist dhe komentator i ftuar në panele të ndryshme televizive sportive gjatë ngjarjeve të mëdha globale.


Mësohet se njeriu që i kushtoi jetën për dekada me radhë sportit, dijes dhe formimit të brezave, ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.


Emri i tij lidhet me kërkimin shkencor shqiptar të sportit, me studime, botime dhe punë pedagogjike. Ai ishte ndër njerëzit që besonin se sporti nuk mund të ndërtohej vetëm mbi talentin, por mbi shkencën, metodën, përkushtimin dhe formimin njerëzor.


Një prej veprave të tij mban pikërisht titullin domethënës “Shkenca shqiptare e sportit sot dhe nesër”. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në Lëvizjen Olimpike dhe Sportive shqiptare, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e nderoi me "Urdhrin Olimpik".


Gjithashtu, Prof. Dr. Albert Karriqi ka shërbyer edhe si deputet i Kuvendit Popullor në legjislaturën e vitit 1991.

“KORÇA BOOM”


bottom of page