Lamtumirë Virgjil Maçolli!
- Korca Boom
- 4 hours ago
- 1 min read
Me hidhërim të thellë, Bashkia Pogradec përcjell lajmin e ndarjes nga jeta të qytetarit, kampionit të mundjes dhe trajnerit të suksesshëm, Virgjil Maçolli.
Kontributi i tij i shquar dhe rezultatet e larta që dha ndër vite, si sportist dhe si trajner, e bënë një figurë të paharruar dhe një shembull frymëzimi për brezat e rinj.
Në vitin 2022, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, Bashkia Pogradec e nderoi me titullin “Krenaria e Qytetit”.
Në këtë moment dhimbjeje të madhe, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv.
Ish mundësi kampion prej vitesh jetonte në SHBA, por së bashku me një tjetër emër të madh të mundjes Xhelil Cibaku ishin duke u merrë me historikun e mundjes pogradecare.
Pak ditë më parë, ata të dy së bashku, kanë pasur një takim me kryetarin Ilir Xhakolli të cilit i kanë kërkuar mbështetje për të rikthyer sportin e mundjes në qytetin liqenor.
Fjala e Maçollit në këtë takim është pritur ngrohtë nga të gjithë pasi historia e mundjes në Pogradec është e madhe, siç është e tillë historia e një mundësi Virxhil Maçolli.
Kur të gjithë prisnin që Maçolli të rikthente sërish tapetin e mundjes në Pogradec, krejt papritur historia e mundjes së këtij qyteti na la të gjithëve.
Virxhil Maçolli do të kujtohet për gjithçka i dha sportit pogradecar të mundjes. Pogradeci humbi një personalitet të çmuar të sportit.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij!
“KORÇA BOOM”
