Liria e medias dhe mbrojtja e privatësisë, në fokus të një tryeze diskutimi me gazetarët në Korçë
Liria e medias, e drejta për informim dhe respektimi i privatësisë së individit ishin në qendër të një tryeze diskutimi të zhvilluar me gazetarë në Korçë, me mbështetjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).
Takimi shërbeu si një hapësirë diskutimi mbi sfidat që shoqërojnë gazetarinë e përditshme, veçanërisht balancimin mes interesit publik dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të individëve.
Gjatë diskutimit u trajtuan standardet ligjore dhe etike që duhet të udhëheqin raportimin mediatik, me vëmendje të veçantë ndaj rasteve që përfshijnë fëmijët, grupet vulnerabël, të dhënat shëndetësore, personat e përfshirë në procedime penale dhe ngjarjet tragjike.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte përdorimi i inteligjencës artificiale në prodhimin e lajmeve dhe përgjegjësia e redaksive në administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Mesazhi kryesor i takimit ishte se informimi i publikut nuk duhet të vijë në kurriz të dinjitetit dhe privatësisë së individit. Një media e përgjegjshme është ajo që informon me profesionalizëm, verifikon faktet dhe respekton të drejtat e çdo qytetari.
“KORÇA BOOM”
















