top of page

Lirimi i hapësirave publike në Korçë, këshilltari përplaset me drejtorin e bashkisë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Aug 5
  • 2 min read

Mëngjesin e kësaj të marte në qytetin juglindor të Shqipërisë, në Korçë, punonjësit e Bashkisë, së bashku me drejtorin e Kontrollit të Territorit dhe punonjësit e policisë bashkiake kanë “zbarkuar” në terren për të nisur me aksionin për lirimin e hapësirave publike.


Në pedonalen e qytetit, drejtori u përball me këshilltarin e pavarur, Lazjon Petri, i cili kishte shkuar në vendngjarjes në mbështetje të bizneseve.


Ai i kërkoi përfaqësuesit të Bashkisë një vendim zyrtar lidhur me këtë aksion, duke theksuar gjithashtu se përgjatë gjithë këtyre viteve pedonalia ka qenë në këtë gjendje dhe se pronarët e bizneseve kanë qenë korrekt me pagimin e taksave.


"Është fare e paqartë. Duam një vendim, nëse nuk keni një vendim vazhdoni. Po pse u kujtuat kaq papritur sot kur ka vite që pedonalja ka qenë kështu, dhe të gjithë kanë qenë në rregullt, në përputhje me lejen kanë paguar tarifat dhe taksat. U zgjuat ju sot dhe ne jemi pa leje, si kështu? Unë jam qytetar dhe jam në mbështetje të sipërmarrësve këtu. Jeni në kundërshtim me ligjin”, i tha Petri drejtorit, ndërkohë që ky i fundit deklaroi se aksioni do të vijojë dhe se çdo ankesë nga bizneset mund të bëhet pranë institucioneve ligjore përkatëse.


Por, kujtojmë se disa ditë më parë vetë vetë kryebashkiaku Sotiraq Filo njoftoi se institucioni që ai drejton kishte gjetur një gjuhë të përbashkët me pronarët e bizneseve, për  lirimin e hapësirave publike, duke ju lënë një afat relativisht të konsiderueshëm për çmontimin e strukturave pa leje.


Sipas asaj që Filo deklaroi, të gjitha lokalet kanë afat deri në datë 17 Gusht, dita kur përfundon dhe Festa e Birrës, për të hequr strukturat që pengojnë lëvizjen dhe zënë hapësirat publike, kurse tendat mund t'i mbajnë përkohësisht.


“Diskutimi i djeshëm me bizneset u trajtua nga ana ime si diskutim konstruktiv, ku kam qenë i hapur të dëgjoj e të pranoj deri në masë të caktuar shqetësimet reale të bizneseve.


Ju është dhënë ky afat nga ana ime deri më 17 gusht që përkon me mbylljen e festës së birrës, por ndërkohë u është kërkuar që t’i heqin të gjithë elementët e tjerë, pedanat, vazot, dhe mund të qëndrojnë tendat deri më 17 gusht, e më pas të zëvendësohen", u shpreh kryebashkiaku, ndërkohë që ky aksion ka filluar që këtë të martë, 5 gusht, shumë ditë para afatit që vetë Filo u la./ NEWSBOMB


“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page