Lirohet Dristion Kurti, që u akuzua për marrëdhënie me të mitur – Gjykata merr parasysh traditën e komunitetit rom
- Korca Boom
- Jun 17
- 1 min read
Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka vendosur lirimin e Dristion Kurtit, i cili ishte arrestuar dhe po hetohej për marrëdhënie me një vajzë 13-vjeçare, me të cilën kishte sjellë në jetë një fëmijë. Ngjarja kishte shkaktuar debat të gjerë publik për shkak të moshës së vajzës dhe ndjeshmërisë ligjore të çështjes.
Megjithatë, gjykata vendosi lirimin e tij, duke marrë në konsideratë rrethanat lehtësuese dhe veçanërisht kontekstin kulturor dhe tradicional të komunitetit rom, pjesë e të cilit janë të dyja palët.
Sipas vendimit gjyqësor, marrëdhënia ishte pranuar nga të dy familjet dhe konsiderohej si një “martesë tradicionale”, që ndonëse bie ndesh me Kodin Penal shqiptar, trajtohet ndryshe nga vetë komuniteti ku ka ndodhur. Gjykata pranoi se ekzistonte mungesë e plotë e vetëdijes penale nga ana e të riut dhe theksoi nevojën për ndërhyrje sociale dhe edukim, përkundër ndëshkimit penal.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve kanë reaguar ndaj vendimit, duke e konsideruar një precedent të rrezikshëm që mund të legjitimojë martesat në moshë të mitur. Ndërkohë, përfaqësues të komunitetit rom kërkojnë më shumë dialog me institucionet për të adresuar konfliktet midis ligjit shtetëror dhe traditave të tyre.
“KORÇA BOOM”
