Lëndë narkotike dhe ryshfete/ Policia e Shtetit njofton pezullimin e pesë punonjësve, kapen disa raste shkeljesh në detyrë
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra pesë punonjës policie pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku dy punonjës të Qarkullimit Rrugor në Fier dyshohet se kanë marrë ryshfet gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pezulluar inspektorët Sh. Ç. dhe I. L. për shkelje disiplinore dhe dyshime për veprime korruptive, pasi nuk kanë zbatuar procedurat standarde gjatë shërbimit.
Në të njëjtën kohë, janë pezulluar edhe tre punonjës të tjerë të policisë, një inspektor në Lezhë i ndaluar me urdhër të prokurorit për shpërdorim detyre, një oficer në Mat i dyshuar për përdorim të lëndëve narkotike dhe një oficer në Krujë i arrestuar nga AMP për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia e Shtetit bën me dije se për këto raste po bashkëpunohet me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe prokuroritë përkatëse për veprime hetimore dhe procedurale.
“KORÇA BOOM”



















