Makinat e importuara do të zhdoganohen më shtrenjtë, ja ndryshimet e reja
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Automjetet e përdorura që importohen nga vende të ndryshme, si Koreja e Jugut, Kina apo vendet e Bashkimit Europian, do të zhdoganohen tashmë me çmime të reja reference, më të larta se më parë. Ndryshimi vjen si pasojë e një udhëzimi të ri të Ministrisë së Financave, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë zyrtarisht në fuqi.
Udhëzimi “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore” parashikon një rritje të ndjeshme të vlerave minimale të zhdoganimit për automjetet, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në koston përfundimtare të makinave të importuara, veçanërisht atyre të përdorura.
Sipas dokumentit, rritja e çmimeve referuese prek të gjitha kategoritë e autoveturave, duke filluar nga ato me cilindratë të vogël e deri te automjetet me motorë të fuqishëm. Krahasuar me udhëzimin e vitit 2018, vlerat e reja janë rritur mesatarisht me rreth 25%.
Konkretisht, për automjetet me cilindratë deri në 1400 cc, vlera minimale e zhdoganimit rritet nga 130 mijë lekë në 162.5 mijë lekë. Për kategorinë 1400–1900 cc, pragu minimal kalon nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë. Për automjetet me cilindratë 1900–2500 cc, vlera rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë.
Rritja vijon edhe për segmentet e tjera: nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë për automjetet 2500–3000 cc, nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë për 3000–4500 cc dhe nga 800 mijë lekë në 1 milion lekë për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc.
Ekspertët e tregut parashikojnë se ky ndryshim do të sjellë rritje të kostos së importit, e cila pritet të reflektohet edhe në çmimet e shitjes për konsumatorët. Ndërkohë, importuesit shprehen se udhëzimi i ri mund të ndikojë në uljen e numrit të automjeteve të përdorura që futen në tregun vendas.
"KORCA BOOM"



















