"Maliqi nuk është kurban!" Administratorja e Libonikut shpërthen kundër reformës
- 1 hour ago
- 2 min read
Vijojnë reagimet kundër draftit të reformës administrativo-territoriale që parashikon bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë. Këtë herë, kundër këtij skenari është shprehur administratorja e Njësisë Administrative Libonik dhe njëkohësisht kryetarja e Partisë Socialiste për Bashkinë Maliq.
Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ajo deklaron se është kategorikisht kundër shkrirjes së Bashkisë Maliq, duke theksuar se çështja nuk lidhet me avantazhe apo disavantazhe administrative, por me identitetin dhe përfaqësimin e qytetarëve.
Sipas saj, Maliqi meriton të ekzistojë dhe të zhvillohet si një bashki më vete, ndërsa shpreh shqetësimin se bashkimi me Korçën do të dobësonte edhe më tej zërin e qytetarëve të Maliqit në vendimmarrje. Ajo ngre gjithashtu shqetësimin se Njësitë Administrative rrezikojnë të humbasin peshën reale në administrim, duke mbetur me kompetenca minimale.
Në deklaratën e saj, administratorja thekson se çdo reformë territoriale duhet të bazohet në kritere të qarta, të barabarta dhe transparente për të gjitha bashkitë, duke shtuar se Maliqi nuk duhet të jetë “kurban” i këtij procesi.
Ajo nënvizon se qëndrimi i saj nuk buron nga interesa politike apo personale, por nga bindja se Maliqi ka historinë, identitetin, potencialin dhe njerëzit e tij, ndaj meriton të ruajë institucionet dhe përfaqësimin e vet.
Në fund të reagimit, ajo kujton se Bashkia Maliq është krijuar në vitin 1946, ka rreth 31 mijë banorë dhe renditet e 18-ta për nga madhësia mes 61 bashkive të vendit.
“Kundërshtimi ynë është konstruktiv, por edhe i panegociueshëm. Bashkia Maliq është kontribut i shumë brezave dhe askush nuk ka të drejtë të dalë mbi historinë, traditat, kulturën dhe trashëgiminë e një krahine të tërë”, përfundon reagimi i saj.
Reagimi i administratores së Libonikut i shtohet një sërë deklaratash publike të ditëve të fundit, ndërsa debati për reformën administrativo-territoriale vijon të mbetet në qendër të diskutimeve në Bashkinë Maliq.
“KORÇA BOOM”
















