Bie çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare, shqiptarët ende paguajnë njësoj
- 1 hour ago
- 1 min read
Nafta në tregjet ndërkombëtare ka pësuar një rënie të ndjeshme, por kjo ulje ende nuk është reflektuar në çmimin që paguajnë drejtuesit e automjeteve në Shqipëri.
Aktualisht, një litër naftë vijon të tregtohet me 214 lekë, ndërsa të dhënat nga tregu ndërkombëtar tregojnë një ulje të ndjeshme të kostos së importit. Sipas të dhënave të bursës Platts dhe statistikave të Doganave, çmimi i naftës së importuar ka rënë me rreth 9.7%, duke zbritur nga 1,406 dollarë për ton më 31 korrik në 1,270 dollarë për ton në zhdoganimet e datës 3 gusht.
Në bursat ndërkombëtare, rënia e çmimeve të naftës Brent dhe produkteve të rafinuara është ndikuar nga pritshmëritë për marrëveshje të reja tregtare dhe ulja e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Por kjo tendencë nuk është reflektuar ende në tregun shqiptar. Ndërkohë që rritja e çmimit në bursë u pasqyrua menjëherë në pikat e karburantit, ulja e fundit e kostos së importit nuk ka sjellë ende një ndryshim për konsumatorët.
Nga 29 deri më 31 korrik, çmimi i naftës në bursë u rrit nga 1,393 në 1,406 dollarë për ton, ndërsa më 1 gusht çmimi në tregun shqiptar u rrit nga 206 në 214 lekë për litër.
Ekspertët e tregut shpjegojnë se ndryshimet në bursat ndërkombëtare nuk kalojnë gjithmonë menjëherë te konsumatori final, pasi ndikojnë edhe faktorë të tjerë si rezervat, kostot e transportit dhe politikat e tregtimit.
Megjithatë, qytetarët presin që rënia e kostos së importit të reflektohet edhe në çmimin e karburantit, duke ulur barrën financiare për mijëra drejtues automjetesh në vend. Për momentin, nafta mbetet në nivelin e 214 lekëve për litër.
“KORÇA BOOM”
















