top of page

Manipulime në futbollin profesionist? Del në dritë një skemë e errët trukimesh

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Aug 27, 2025
  • 2 min read

Një deklaratë e fortë ka ardhur nga Suedia dhe mund të tronditë themelet e futbollit evropian, përfshirë edhe kampionatin më të ndjekur në botë, Premier League. Ish-shefi i njësisë suedeze për hetimin e krimit të organizuar në sport, Fredrik Gardare, ka pohuar se disa futbollistë aktivë janë përfshirë në manipulim ndeshjesh në bashkëpunim me rrjete kriminale ndërkombëtare.


Në një intervistë për gazetën britanike Daily Mail, Gardare tha se gjatë një operacioni policor të zhvilluar në një kazino të paligjshme në vitin 2021, u sekuestruan telefona që përmbanin biseda të dyshimta në aplikacionin Telegram. Në një prej tyre, sipas tij, kishte prova të qarta që tregonin përfshirjen e futbollistëve në trukim ndeshjesh në disa liga evropiane dhe në Ligën e Kombeve.


Gardare pretendon se mes emrave të përfshirë kishte më shumë se një lojtar nga Premier League. Ai shton se provat ndodhen ende në duart e policisë suedeze, por për shkak të shpërbërjes së njësisë hetimore, çështja nuk u ndoq më tej. Ish-hetuesi shpreh habi dhe zhgënjim që një rast kaq serioz dhe me prova të mjaftueshme është lënë në heshtje.


Federata Suedeze e Futbollit ka konfirmuar se ka marrë informacion të përgjithshëm nga policia në vitin 2021, por nuk janë dhënë detaje konkrete që të mundësonin veprime të mëtejshme. Gardare thotë gjithashtu se informacioni është dërguar edhe pranë federatës angleze të futbollit (FA), por nuk dihet se çfarë është bërë më pas.


FA ka reaguar duke theksuar se nuk ka marrë zyrtarisht rezultatet e hetimit, por është e interesuar të shqyrtojë çdo provë që lidhet me këtë rast.

Rasti ngre sërish alarmin për një nga problemet më të mëdha në futbollin modern: manipulimi i ndeshjeve në bashkëpunim me grupe kriminale, një fenomen që nuk kursen as kampionatet më të mëdha dhe më të monitoruara.


Nëse hetimet rihapen dhe faktet dalin në dritë, ky mund të jetë një ndër skandalet më të mëdha të dekadës në futbollin ndërkombëtar.

“KORÇA BOOM”


bottom of page