Mbi 1.2 ton kokainë e fshehur mes arrave të kokosit, arrestohen dy persona
- 46 minutes ago
- 2 min read
Autoritetet spanjolle kanë goditur një tjetër rast të trafikut të drogës, duke sekuestruar mbi 1.2 ton kokainë në provincën e Seviljes.
Sipas Policisë, lënda narkotike ishte fshehur në pjesën e pasme të rimorkios së një kamioni dhe poshtë paletave të ngarkuara me arra kokosi, me qëllim shmangien e kontrolleve.
Operacioni kishte nisur që në muajin dhjetor, pasi hetuesit identifikuan një kompani në Dos Hermanas, në provincën e Seviljes, e cila dyshohej se mund të shfrytëzohej për futjen e lëndëve narkotike në territorin spanjoll.
Në vijim të hetimeve, autoritetet vendosën nën mbikëqyrje një kontejner që kishte ngritur dyshime. Ndërhyrja u krye në momentin kur ngarkesa po transportohej drejt një magazine.
Gjatë operacionit u ushtruan kontrolle edhe në dy prona në provincën e Seviljes, ku policia gjeti para cash dhe pajisje elektronike. Materialet e sekuestruara pritet të analizohen në kuadër të hetimit.
Dy persona janë arrestuar deri më tani nën dyshimin për përfshirje në trafikun e drogës. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e arrestimeve të tjera.
Spanja mbetet një prej pikave kryesore të hyrjes së kokainës në Bashkimin Evropian, veçanërisht për ngarkesat që mbërrijnë nga Amerika Latine.
Gjatë vitit 2024, autoritetet spanjolle sekuestruan rreth 124 tonë kokainë, sasi që përbënte afërsisht 37% të totalit të kapur në Bashkimin Evropian.
Të dhënat evropiane tregojnë se Spanja, Franca dhe Belgjika së bashku përbënin rreth dy të tretat e sasisë së kokainës së sekuestruar në BE gjatë atij viti.
Edhe pse sasia totale e drogës së konfiskuar shënoi rënie krahasuar me një vit më parë, numri i sekuestrimeve u rrit. Autoritetet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të ngarkesave më të vogla nga grupet kriminale, një metodë që synon ta bëjë më të vështirë zbulimin e trafikut./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















