top of page

Me afro 200 km/orë, policia ndëshkon shoferët që 'fluturojnë' në rrugë dhe bën apel për kujdes

  • 3 hours ago
  • 1 min read

Policia e Shtetit u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë dhe rregullat e qarkullimit rrugor, duke theksuar se shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda.


Apeli vjen pas monitorimit intensiv të akseve rrugore kombëtare me mjetet inteligjente shpejtësimatëse Poliscan, gjatë të cilit në aksin Lushnjë–Fier u konstatuan tre automjete që zhvillonin garë shpejtësie.


Sipas Policisë, automjetet lëviznin me 187 km/h, 192 km/h dhe 199 km/h, në një segment ku shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/h.


Shkelja u konstatua në një kohë kur në këtë aks vijon të ketë fluks të lartë qarkullimi, duke rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesve të automjeteve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.


Policia Rrugore bën të ditur se ndaj tre drejtuesve të automjeteve po kryhen veprimet administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.


Ndërkohë, kontrollet me radarët inteligjentë Poliscan do të vijojnë në të gjitha akset kryesore të vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.


Në përfundim të njoftimit, Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të mjeteve: Të mos zhvillojnë gara shpejtësie në rrugë; Të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë; Të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.


"Mbroni jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës", është mesazhi i Policisë për të gjithë shoferët.

“KORÇA BOOM”


bottom of page