Moti i keq 'paralizon' Shqipërinë, anulohet mësimi në disa shkolla
- Korca Boom
- Jan 6
- 2 min read
Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” dhe "Gjergj Fishta".
Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë ka shkaktuar probleme në disa qytete, ku më e rëndë situata shfaqet në Durrës dhe në Lezhë.
Në Durrës, situata më problematike paraqitet në zonën rreth stadiumit, Spitallë dhe NISH Tulla, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive. Ndërkohë, në të gjithë qarkun e Durrësit është pezulluar procesi mësimor, ndërsa oborri i universitetit Aleksandër Moisiu është nën ‘pushtetin’ e ujit.
Në Lezhë, kanalizimet nëntokësore nuk e përballuan nivelin e lartë të prurjeve, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”. Situata më problematike u paraqit në blloqet e banimit "11 janari" dhe "11.2 hektarë", ku niveli i ujit arriti në disa centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve.
Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” dhe "Gjergj Fishta", ndërsa prurjet e shumta të Lumit Drin kanë përmbytur shtetëroren në lagjen "Skëndërbeg".
Reshjet dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë rritur gjithashtu nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Vijojnë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës.
Aktualisht sipas të dhënave nga Bashkia Shkodër dhe Shtabi i Emergjencave në Prefekturë, nuk ka rrezik për përmbytje. Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar, duke vijuar operimin në parametra të kontrolluar.
Ndërkohë, në Bashkinë Kurbin reshjet kanë qenë intensive gjatë gjithë natës, me intensitet mesatar dhe herë-herë të lartë, të shoqëruara me vetëtima. Deri tani, është raportuar vetëm një rast i përmbytjes së një familjeje në Milot, ndërsa kanalet janë në kuota të larta dhe punonjësit e emergjencës po monitorojnë situatën. Në fshatin Adriatik, disa hektarë tokë janë nën pushtetin e ujit si dhe disa banesa janë të rrethuara nga uji. Në fshatin Fushë Mamurras është ndërprerë mësimi.
Në Bashkinë Mirditë reshjet kanë qenë intensive, por deri tani nuk ka problematika serioze për banesat. Lumi Zalli Zmesë pranë qytetit është rritur, por nuk ka rrezik për përmbytje, ndërsa disa zona periferike të Rrëshenit po përballen me mungesë energjie.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në rrugën nacionale Burrel–Skuraj. Si pasojë e motit të keq, gurë dhe inerte kanë përfunduar në asfalt, duke krijuar rrezik për qarkullimin e mjeteve.
Rrëshqitje masive janë regjistruar në afërsi të urës së Ulzës, si dhe pranë sektorit C, ndërsa problematika të ngjashme janë konstatuar edhe në segmente të tjera të kësaj rruge./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”



















