Mrekulli mjekësore, ndahen me sukses binjaket e bashkuara
- Korca Boom
- Dec 28, 2025
- 1 min read
Një histori shprese dhe mrekullie vjen nga Peruja, pikërisht në prag të festave të fundvitit. Një spital në kryeqytetin Lima ka njoftuar ndarjen me sukses të dy vajzave binjake të lindura të bashkuara, një ndërhyrje jashtëzakonisht e rrallë dhe tepër e ndërlikuar, të cilën mjekët e kanë cilësuar si një “mrekulli mjekësore”.
Binjaket Ailani dhe Alif Palacios Picon erdhën në jetë më 5 tetor të këtij viti në qytetin Huanuco, në pjesën qendrore-lindore të Perusë. Ato lindën para kohe dhe të bashkuara në shtyllën kurrizore, ndërsa disa nga organet e tyre jetike ishin të kompromentuara, duke e bërë situatën jashtëzakonisht të ndjeshme.
Pas një periudhe përgatitore intensive dhe vlerësimesh të shumta mjekësore, një ekip i specializuar mjekësh në Lima kreu operacionin e ndarjes, i cili rezultoi i suksesshëm. Ndërhyrja u zhvillua në kushte të rrepta dhe kërkoi bashkëpunimin e disa disiplinave mjekësore.
Sipas autoriteteve shëndetësore, gjendja e dy foshnjave është e qëndrueshme dhe ato po marrin kujdes të vazhdueshëm mjekësor, ndërsa pritet një proces i gjatë rikuperimi.
Kjo ngjarje është cilësuar si një moment shprese jo vetëm për familjen e vajzave, por edhe për komunitetin mjekësor, duke treguar përparimin e mjekësisë moderne dhe forcën e jetës.
"KORCA BOOM"



















