Raporti i ISHSH: Shkelje të rënda higjieno-sanitare në spitale dhe klinika
- 1 hour ago
- 2 min read
Mbetje spitalore të grumbulluara në korridore dhe tualete, mungesë ujit të rrjedhshëm, pavijone që nuk plotësojnë standardet bazë të higjienës dhe klinika që operojnë me dokumentacion të paplotë. Kjo është panorama që del nga kontrollet e kryera gjatë vitit 2025 në spitale, qendra shëndetësore dhe klinika dentare në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 4.993 kontrolle, nga të cilat 4.882 inspektime dhe 111 riinspektime. Nga verifikimet janë vendosur 13 gjoba, 11 masa urgjente të ndërmjetme dhe 296 paralajmërime.
Një nga problematikat më shqetësuese të evidentuara nga inspektorët lidhet me menaxhimin e mbetjeve spitalore. Raporti thekson se në disa raste mbetjet e rrezikshme ruheshin në ambiente të papërshtatshme, si korridore dhe tualete, madje në të njëjtën hapësirë me mbetjet urbane dhe pajisjet e pastrimit. Po ashtu janë konstatuar mungesa infrastrukture për transportimin dhe magazinimin e mbetjeve spitalore brenda territorit të spitaleve.
Sipas raportit, në disa institucione mungonte gjithashtu trajnimi i personelit për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa punonjësit nuk ishin të pajisur me mjetet e nevojshme mbrojtëse. Inspektorët evidentuan edhe mosrespektim të procedurave për ndarjen dhe etiketimin e mbetjeve spitalore.
Problemet nuk kufizohen vetëm te trajtimi i mbetjeve. Kontrollet kanë zbuluar mangësi edhe në pavijone dhe shërbimet e urgjencës, ku në disa raste nuk respektohej sipërfaqja minimale për pacientët sipas standardeve higjieno-sanitare. Gjithashtu, recepsionet dhe ambientet e triazhimit rezultonin vetëm pjesërisht në përputhje me kriteret e kërkuara.
Raporti i Inspektorati Shtetëror Shëndetësor evidenton gjithashtu mungesa në dokumentacion, protokolle dhe rregullore të brendshme funksionimi në disa spitale dhe klinika. Në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor janë konstatuar mungesë e ujit të rrjedhshëm, amortizim i rrjetit elektrik, lagështirë, mungesë pajisjesh mjekësore dhe mungesë kontratash për evadimin e mbetjeve spitalore.
“KORÇA BOOM”
















