top of page

Mësuesja përjashtohet nga shkolla pas denoncimit në emision

  • May 6
  • 1 min read

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar publikisht lidhur me rastin e bërë publik në emisionin investigativ “Stop”, ku pasqyrohet një sjellje e papërshtatshme nga një mësuese e arsimit fillor në shkollën “Isa Boletini” në Kamzë.


Në njoftimin zyrtar, Ministria bën të ditur se është ngritur menjëherë një grup pune për ndjekjen e plotë të situatës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Tiranë. Ky grup ka zhvilluar takime me drejtuesit e shkollës, psikologët dhe prindërit e nxënësve të përfshirë, me qëllim verifikimin e plotë të ngjarjes.


Pas publikimit të rastit, është marrë masa e pezullimit të menjëhershëm të mësueses nga detyra. Sipas Ministrisë, ajo nuk do të lejohet të hyjë në ambientet e institucionit arsimor deri në përfundim të procedurave administrative dhe institucionale.


Paralelisht, drejtoria e shkollës pritet të bëjë kallëzim pranë organeve kompetente, ndërsa do t’i kërkohet zyrtarisht emisionit “Stop” vënia në dispozicion e të gjitha pamjeve filmike, në mënyrë që të bëhet një verifikim i plotë i rastit.


Ministria e Arsimit thekson se dënon çdo veprim që cenon sigurinë, mirëqenien dhe dinjitetin e nxënësve në institucionet arsimore.


Sipas saj, figura e mësuesit mbetet themel i edukimit dhe formimit të brezave të rinj, ndaj çdo sjellje që bie ndesh me etikën profesionale dhe normat njerëzore është e papranueshme dhe nuk mund të ketë vend në sistemin arsimor.


Në përfundim të reagimit, Ministria shpreh edhe mirënjohje për rolin e medias në evidentimin e rasteve të tilla, duke theksuar se bashkëpunimi ndihmon në ruajtjen e standardeve dhe në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe edukues për nxënësit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page