Ndahet nga jeta ish-zëvendëskryeministri shqiptar
- Dec 30, 2025
- 1 min read
Lajmi për ndarjen nga jeta të Zyhdi Pepës është bërë i ditur nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjen e tij.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i shpreha sot ngushëllimet familjes së shokut dhe profesorit tonë Zyhdi Pepa, i cili u nda nga jeta. Zyhdi Pepa ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura, gjithashtu ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Bujqësisë. U prehsh në paqe, profesor”, shkruan Balla në mesazhin e tij.
Zyhdi Pepa ka shërbyer si ministër i Bujqësisë gjatë viteve 1991–1992, në një periudhë të vështirë tranzicioni, kur bujqësia përbënte një nga sektorët më të ndjeshëm dhe jetikë të ekonomisë shqiptare. Mandati i tij përkoi me proceset e para të reformimit ekonomik, privatizimit të tokës dhe riorganizimit të institucioneve shtetërore pas rënies së regjimit komunist.
Gjatë së njëjtës periudhë, Pepa ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryeministrit, duke qenë pjesë e qeverisë së stabilitetit që kishte për detyrë menaxhimin e tranzicionit politik dhe institucional të vendit.
Ai ka shërbyer si zëvendëskryeministër dhe ministër i Bujqësisë në qeverinë e drejtuar fillimisht nga Ylli Bufi dhe më pas nga Vilson Ahmeti, duke dhënë kontribut në një nga fazat më të rëndësishme të historisë së re politike të Shqipërisë.
"KORCA BOOM"















