top of page

Ndahet nga jeta në moshën 77-vjeçare një prej themeluesve të PS-së

  • 7 hours ago
  • 1 min read

Një lajm i trishtë ka ardhur këtë të enjte nga Berati, ku është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare mësuesi, studiuesi dhe një prej themeluesve të Partisë Socialiste në Berat, Ymer Kordha.


Lajmi është bërë i ditur nga dega e Partisë Socialiste në Qarkun Berat, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur gjatë viteve.


Ymer Kordha ishte një prej figurave të para të organizimit të PS-së në Berat, ku për disa vite ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të degës. Ai ka qenë aktiv në jetën publike dhe politike të qytetit që në vitet e para të krijimit të strukturave socialiste në Berat.


Përveç angazhimit politik, Kordha ka mbajtur edhe detyra publike, ndërsa për disa vite ka shërbyer si drejtues i Marrëdhënieve me Jashtë në Këshillin e Qarkut Berat.


Kontributi i tij nuk është kufizuar vetëm në jetën politike dhe institucionale. Si mësues, studiues dhe njohës i historisë së Beratit, ai është angazhuar në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë historike e kulturore të qytetit.


Një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhet me studimin e Dimalit/Krotinës, ndërsa ndër vite kishte mbledhur dhe ruajtur materiale e dokumente që lidhen me historinë e krijimit të Partisë Socialiste në Berat, takimet e para dhe personazhet që morën pjesë në këtë proces.


Ndarja e tij nga jeta ka sjellë reagime në Berat, ku Ymer Kordha kujtohet si një intelektual dhe mësues me kontribut në jetën publike, por edhe si një person që punoi për ruajtjen e kujtesës historike të qytetit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page