Ndarja e çmimeve në Pallatin e Kongreseve, vepra letrare dhe përkthimet më të mira të vitit
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Në Pallatin e Kongreseve po zhvillohej ceremonia e ndarjes së çmimeve të Panairit të 28-të të Librit. Çmimi "Autori më i mirë i vitit" iu dha Artan Fugës për romanin "Ndëshkimi i dytë i Evës", botuar nga "Papirus". Vepra ndërthur mitin e zanafillës, dramat e jetës familjare dhe urbane, si dhe zhvillimet teknologjike, duke ofruar një reflektim të thellë mbi njeriun dhe shoqërinë bashkëkohore.
Çmimi për përkthimin më të mirë iu dha Virgjil Muçit për përkthimin e romanit të Percival Everett, fitues i çmimit Pulitzer 2025, botuar nga "Dituria". Përkthimi ruan kompleksitetin dhe ngjyrat e tekstit origjinal, duke e bërë të kuptueshëm për lexuesin shqiptar.
Nga frëngjishtja në shqip, Urim Nerguti u nderua për përkthimin e romanit "Hyrija" të Kamel Daoud, fitues i çmimit Goncourt 2024, botuar nga "Buzuku". Përkthimi ruan stilin unik të autorit dhe pasqyron nuancat e shumta të fjalës dhe sintaksës origjinale.
Çmimi "Autori i librit më të mirë studimor" iu dha Ali Xhikut për veprën "Faqeve të historiografisë shqiptare", botuar nga "Onufri", për kontributin në analizën e historisë së letërsisë shqipe dhe metodologjinë studimore.
Për fëmijë, çmimi iu dha Valbona Bankës për romanin "Aria, në dorën time", botuar nga "Dita Books", për rrëfimin me humor dhe mesazhet edukative që ndihmojnë në formimin e identitetit dhe edukimin emocional të lexuesve të vegjël.
Gjithashtu u dhanë dy diploma mirënjohjeje: e para nga ambasada e Bullgarisë për përkthyesen Janka Trifonova Selimi, e marrë nga e bija Melina Selimi, dhe e dyta nga ambasada e Polonisë për profesorin Arqile Teta.
"KORCA BOOM"



















