Ndryshojnë rregullat për telefonat në Shqipëri, çfarë duhet të dinë të gjithë përdoruesit
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar një rregullore të re për përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri. Ndryshimet parashikojnë rregulla të reja për vlefshmërinë e kartave SIM, afatin e kreditit monetar dhe mënyrën se si operatorët mund të ndryshojnë tarifat mujore.
Sipas vendimit të Bordit të AKEP, kartat SIM do të kenë vlefshmëri 12-mujore, ndërsa kredia monetare e hedhur në numër do të ketë një afat minimal vlefshmërie prej 180 ditësh. Gjithashtu, përdoruesit do të mund të kryejnë rimbushje edhe me vlera të ulëta.
Një tjetër ndryshim lidhet me abonentët që vendosin të kalojnë te një operator tjetër. Në këto raste, ata do të kenë të drejtë të kërkojnë rimbursimin e kreditit monetar të papërdorur.
Rregullorja synon gjithashtu të rrisë transparencën për tarifat dhe të garantojë ruajtjen e numrit celular për të paktën 12 muaj pas çaktivizimit.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për tarifat mujore. Duke nisur nga 1 janari 2027, operatorët nuk do të lejohen të përfshijnë në kontrata klauzola që parashikojnë rritje automatike të tarifave në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë Indeksin e Çmimeve të Konsumit, kur vlera konkrete e tarifës së ardhshme nuk është përcaktuar që në momentin e nënshkrimit të kontratës.
Masat e reja do të zbatohen sipas afateve të parashikuara në rregullore, me ndryshimet për tarifat mujore që hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.
“KORÇA BOOM”
















