Ndryshojnë çmimet e barnave të rimbursueshme për 2026, publikohen detajet
- 2 hours ago
- 2 min read
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për listat e barnave të rimbursueshme për vitin 2026, duke i ngarkuar Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) përgjegjësinë për përcaktimin e barnave që do të përfshihen në skemën e rimbursimit, si dhe kufizimet për përdorimin e tyre.
Sipas vendimit, janë miratuar:
Lista I e barnave të rimbursueshme që tregtohen në farmacitë spitalore;
Lista II e barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Po ashtu, është miratuar masa e mbulimit të çmimeve të barnave, e cila varion nga 50% deri në 100%, sipas klasifikimit ATC, grupeve terapeutike dhe barnave përkatëse.
Vendimi përcakton edhe marzhet e tregtimit për barnat e listës së rimbursueshme:
8% për tregtimin me shumicë;
24% për tregtimin me pakicë.
Për disa barna të listave I dhe II do të aplikohen marzhe të diferencuara, sipas pasqyrave bashkëlidhur vendimit.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, FSDKSH do të përcaktojë kufizimet në përdorim, në sasi dhe në kohëzgjatje të trajtimit me barnat e listës, bazuar në kritere ekonomike, mjekësore dhe sociale. Gjithashtu, institucioni do të ketë të drejtën të lidhë marrëveshje me mbajtësit e autorizimit për tregtim për reduktimin e çmimeve të barnave të përfshira në listë.
Vendimi parashikon që, në rast se gjatë periudhës së zbatimit ulen çmimet e barnave të paregjistruara ose të barnave alternativë të vetme që tregtohen në farmacitë e spitaleve dhe në farmacitë e rrjetit të hapur, FSDKSH, pas njoftimit nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, do të reflektojë uljen e çmimit në listë.
Gjithashtu, çmimet e aplikuara për hartimin e listave I dhe II të barnave të rimbursueshme bazohen mbi çmimet e rivlerësuara dhe të miratuara për vitin 2026, sipas përcaktimeve të VKM nr. 645, datë 1 tetor 2014, “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, të ndryshuar.
“KORÇA BOOM”
















