top of page

Nga Bilishti në qendër të Europës: shqiptari që vodhi 100 mijë portofola kriptovalutash

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 1 min read

Policia greke, në bashkëpunim me Europolin, ka arrestuar një shtetas shqiptar të dyshuar për përfshirje në një nga rrjetet më të mëdha të krimit kibernetik në Evropë.

Në pranga ka rënë Sotitaq Kolezi, 38 vjeç, me origjinë nga Bilishti, i cili dyshohet se kishte qasje në më shumë se 100 mijë portofola kriptovalutash që u përkisnin përdoruesve nga vende të ndryshme të botës. Vlera totale e pasurisë së vjedhur mendohet të arrijë në miliona euro.


Sipas mediave greke, faza më e fundit e operacionit u zhvillua nën koordinimin e Europolit në Hagë dhe kishte në shënjestër rrjetin ndërkombëtar të njohur si “Rhadamanthys”, një nga programet më të mëdha të vjedhjes së informacionit në mbarë botën.

Hetimet zbuluan përdorimin e Trojanit me akses në distancë “VenomRAT” dhe botnetit “Elysium”, të cilët shërbenin për të marrë kontrollin e pajisjeve të viktimave dhe për të vjedhur të dhëna sensitive, përfshirë çelësat e portofolave dixhitalë dhe informacione bankare.


Sipas policisë, rrjeti që u çmontua ishte përgjegjës për sulme kibernetike ndaj qindra mijëra përdoruesve në mbarë botën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare. Kolezi dyshohet se kishte një rol teknik në këtë rrjet, duke administruar pjesë të infrastrukturës së programeve të dëmshme dhe duke shpërndarë të dhënat e vjedhura në tregjet e zeza të internetit.


Hetimet po vijojnë nën drejtimin e autoriteteve greke dhe në bashkëpunim me agjencitë evropiane të sigurisë, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe gjurmimin e përfitimeve që rrjedhin nga aktiviteti kibernetik.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page