"Nga e mërkura bien temperaturat", ja kur parashikohen reshje shiu në vend
- Korca Boom
- 2 days ago
- 1 min read
Fillimi i javës do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve. Por ndryshe do të jetë pjesa e dytë e kësaj jave, ku sipas meteorologëve nuk do të mungojnë as reshjet.
“Duke filluar nga dita e enjte dhe e premte kryesisht, kemi zhvillim të vranësirave, rritje të ndjeshme të lagështirës në ajër, çka do të bëjë të kemi prezente reshjet e shiut, në një pjesë të mirë të territorit shqiptar ku më të fokusuara pritet të jenë zonat jugore, ndërsa në zonat qendrore dhe në zonat veriore reshjet do të jenë në sasi më të pakta. Jo vetëm që do të ketë reshje shiu, po ashtu pritet që të ketë edhe shfaqje të reshjeve të dëborës në zonat e thella malore, kryesisht në verilindje të territorit shqiptar”, tha Hakil Osmani në Klan tv.
Sipas tij temperaturat do të pësojnë rënie graduale, për shkak të shtimit të vranësirave, sidomos prej të mërkurës.
“Duke qenë se kemi vranësira prezente dhe reshje në territoret shqiptare përgjatë ditës së enjte dhe të premte, do të kemi rënie të temperaturave të ajrit, duke bërë që vlerat maksimale të zbresin në 23°C apo 24°C, ndërsa minimumet në qytetet e zonave malore do të zbresin edhe në 3°C, kryesisht në zonat verilindore. Pjesa tjetër e Ultësirës Perëndimore, temperaturat e para të mëngjesit do i ketë nga 6°C dhe shumë pranë vlerave 11°C apo 12°C në vijën bregdetare”, tha Osmani.
Kushtet atmosferike të këtij muaji, sipas sinoptikanëve, janë tipike të vjeshtës, madje temperaturat maksimale të ajrit janë 2-3 gradë më të larta sesa janë vlerat tipike të tetorit.
“KORÇA BOOM”
