top of page

Nga inxhinierët te kamarierët, ja profesionet më të kërkuara aktualisht

  • 14 hours ago
  • 1 min read

Në vend janë aktualisht të hapura mbi 6,500 vende të lira pune përmes portalit zyrtar të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), duke ofruar mundësi punësimi për kandidatë me nivele të ndryshme arsimimi dhe kualifikimi.


Sipas të dhënave të publikuara, pozicionet e shpallura mbulojnë një gamë të gjerë sektorësh, duke nisur nga profesione që kërkojnë arsim profesional dhe të mesëm, deri te pozicione që kërkojnë diplomë universitare dhe aftësi të specializuara.


Ndër profesionet më të kërkuara aktualisht renditen ekonomistët, menaxherët, specialistët e komunikimit, inxhinierët mekanikë, zhvilluesit e programeve kompjuterike, inxhinierët civilë, specialistët e financës, drejtuesit në sektorin e tregtisë si dhe inxhinierët e elektroteknologjisë.


Këto profile lidhen kryesisht me sektorë që po shënojnë rritje të aktivitetit dhe kanë nevojë për staf të kualifikuar për të mbështetur zhvillimin e biznesit dhe investimeve.

Nga ana tjetër, kërkesa mbetet e lartë edhe për profesione praktike dhe shërbime që nuk kërkojnë domosdoshmërisht arsim të lartë. Punëdhënësit vijojnë të kërkojnë punonjës pastrimi, punëtorë ndërtimi, ndihmës-kuzhinierë, rrobaqepës, sistemues mallrash, prodhues këpucësh, kamarierë, shitës, shoferë të mjeteve të rënda, kuzhinierë dhe banakierë.


Autoritetet e punësimit theksojnë se këto mundësi janë të hapura si për personat që kërkojnë të hyjnë për herë të parë në tregun e punës, ashtu edhe për ata që synojnë të ndryshojnë profesion ose të ndërtojnë një karrierë të re.


Aplikimet për vendet e lira të punës mund të kryhen online përmes portalit zyrtar të punësimit, ndërsa qytetarët mund të drejtohen edhe në zyrat vendore të punësimit për asistencë gjatë procesit të aplikimit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page