NGA Ledina Alolli: Braktisja e fshatit nga qeveria
- Korca Boom
- Jun 14
- 2 min read
Fshati po shuhet në heshtje. Jo sepse fermeri nuk punon, por sepse qeveria ka zgjedhur të mos e shohë më. Pranvera e këtij viti ishte një goditje e rëndë për bujqësinë, veçanërisht për zonën e Korçës, e cila tradicionalisht është një nga prodhuesit më të mëdhenj të frutave në Shqipëri. Ngrica të vona të papritura dëmtuan thuajse tërësisht prodhimet frutore.
Qershitë – një nga kulturat më të dashura dhe më të rëndësishme të kësaj zone – është dëmtuar tërësisht. Kumbullat u prekën rëndë. Mollët, edhe pse ende në fazë rritjeje, janë dëmtuar seriozisht dhe pritet të kenë rendiment shumë më të ulët.
Në vitin 2024, zona e Korçës prodhoi rreth 2,000 ton qershi, duke siguruar të ardhura të qëndrueshme për qindra familje. Në atë vit, fermeri e shiste qershinë me 100-150 lek/kg, një çmim që i mundësonte të mbulonte kostot dhe të mbijetonte.
Sivjet, në vitin 2025, situata është dramatike: prodhimi ka rënë me më shumë se 85%. Në total, janë mbledhur shumë pak qershi në të gjithë zonën, humbjet llogariten në 1,700 ton për shkak të kushteve klimatike. Në terma ekonomikë, kjo përkthehet në një humbje direkte prej 3.5 milion euro për fermerët vetëm nga kultura e qershisë. Kjo shumë nuk përfshin dëmet nga kumbullat dhe mollët, të cilat mund të çojnë humbjet reale në mbi 5 milionë euro për gjithë sektorin frutor të zonës.
A ka ndërhyrë qeveria? Aspak. Asnjë vlerësim terreni. Asnjë plan kompensimi. Asnjë reagim. Femeri është lënë vetëm përballë natyrës dhe tregut, pa një politikë të qartë mbështetjeje.
Çmimi i tregut ka shkuar sivjet në 350–400 lek/kg nga fermeri, për shkak të mungesës së sasisë. Por ky çmim i lartë është mashtrues – sepse shumica e fermerëve nuk kanë ç’të shesin. Nuk është rritja e çmimit që po i pasuron ata, por mungesa e prodhimit që po i varfëron.
Ndërkohë, në qytet, një kilogram qershi ka arritur deri në 800 lekë. E njëjta qershi që vitin e kaluar shitej për 200–250 lekë, tani është kthyer në një produkt luksi që shumë familje nuk mund ta përballojnë. Po humbasim frutat vendase dhe po krijojmë një boshllëk që do të mbushet nga importet, duke dëmtuar edhe më shumë bujqësinë shqiptare.
Kjo është kriza e heshtur që po ndodh në fshat. Jo për shkak të mosdijes së fermerëve. Jo për mungesë pune. Por për shkak të braktisjes nga institucionet.
Qeveria flet për “zhvillim rural”, për “transformim të bujqësisë” – por realiteti është ky: fshatari nuk ka sigurime për prodhimin, nuk ka mbështetje për dëmet klimatike, nuk ka përfaqësim të denjë në vendimmarrje. Sot, ai nuk kërkon ndihma, por drejtësi dhe vëmendje.
Nëse kështu do të vazhdojë, çdo vit do të jetë më keq. Nëse as klima nuk është më e qëndrueshme dhe as shteti nuk është prezent, atëherë fshati nuk ka çfarë pret – përveçse të mbyllë sytë.
Ndërsa flitet për zhvillim rural në letra, në realitet fshati po braktiset. Jo vetëm nga të rinjtë që ikin, por nga një shtet që nuk merr përgjegjësi as kur fermeri mbetet pa bukë. Po humbasim bujqësinë dhe me të po humbasim edhe një pjesë të identitetit tonë. Dhe kur humbet fshati, nuk humb vetëm një vendbanim – humbet themeli i jetës sonë shoqërore
dhe ekonomike.
“KORÇA BOOM”
