top of page

Nga qelia, Veliaj i drejtohet Ballës me kërkesë të fortë. Çfarë kërkon të hetohet për Ramën!

17 hours ago
2 min read

Një tjetër përplasje në distancë mes Erion Veliajt dhe drejtuesve të Partisë Socialiste. Këtë herë, kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim, ka vendosur t'i drejtohet zyrtarisht kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, me një kërkesë që mund të hapë një debat të ri politik.


Veliaj kërkon inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar ndërhyrjet dhe kërcënimet që pretendon se janë ushtruar ndaj tij nga kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.


Në deklaratën e tij, Veliaj pretendon se transferimi nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit mund të jenë përdorur si mjete presioni për ta detyruar të pranojë organizimin e protestave në Tiranë dhe të japë dorëheqjen nga mandati i kryebashkiakut.


Ai shprehet i gatshëm të dëshmojë nën betim përpara Kuvendit, të përballet me ministrin e Drejtësisë dhe të paraqesë çdo provë që disponon. Madje, kërkon që edhe kryeministri Edi Rama t'i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.


Veliaj thekson se nuk kërkon që Kuvendi t'i marrë si të mirëqena deklarimet e tij, por që ato të hetohen. Sipas tij, mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe nuk mund të bëhet objekt i shantazhit politik.


Ndërkohë, vetëm pak kohë më parë, Taulant Balla u pyet nga gazetarët për deklaratat e Veliajt dhe u shpreh se kryebashkiaku duhet ta bëjë i vetëm përballjen me drejtësinë, pa përfshirë Partinë Socialiste.


Një qëndrim që vjen në një moment kur Veliaj po kërkon pikërisht nga shumica socialiste të ndërmarrë një nismë parlamentare për të hetuar pretendimet e tij. Mbetet për t'u parë nëse kërkesa e tij do të marrë mbështetjen e grupit parlamentar të PS-së dhe nëse Kuvendi do të shqyrtojë ngritjen e komisionit të kërkuar.

“KORÇA BOOM”


bottom of page