Nga Redi Dadallaku: Pogradeci riorganizohet për sezonin e ri, afrime, largime dhe talente vendas
- Korca Boom
- 6 hours ago
- 2 min read
K.F. Pogradeci po vijon paralelisht stërvitjet dhe merkaton, teksa punon për riorganizimin e skuadrës për sezonin e ri. Largimet kanë qenë të shumta, ndërsa afrimet po kryhen me kujdes, me synimin për të shmangur gabimet e merkatos së verës, kur disa futbollistë nuk arritën të justifikonin pritshmëritë dhe zhgënjyen tifozët.
Mes afrimeve të deritanishme spikat Indio Oliveira, braziliani ofensiv që luan si sulmues krahu ose trekuartist. Ai vjen me eksperiencë në kampionatin shqiptar, ku ka qenë pjesë e Flamurtarit, Orikut dhe Bylisit. Po ashtu, skuadra ka afruar edhe Kristian Preknicaj, një sulmues shtatlartë me eksperiencë në Itali, si dhe më herët te Lushnja dhe Teuta.
Bërthama e ekipit mbetet e konsoliduar me futbollistë si Zguro, Staniç, Kazim, Danlandi, Toshevski, Pere dhe Pius, të cilët pritet të mbajnë peshën kryesore të skuadrës edhe në sezonin e ardhshëm.
Një tjetër zhvillim pozitiv është afrimi i talenteve vendas, një qasje e kërkuar prej vitesh nga opinioni sportiv. Kjo filozofi po vihet në zbatim përmes lojtarëve të ekipit U19, si Spaho, Xhajollari, Balliu, Malellari dhe Bajraktari, ndërsa Mertkola dhe Sallo po marrin minuta dhe eksperiencë të vlefshme me skuadrën e parë.
Sa i përket largimeve, Babatunde, Ezekiel, Ogeçuku, Makafui, Patushi dhe Krasniqi nuk janë më pjesë e Pogradecit. Ndërkohë, për portierin Esafi ende nuk ka një komunikim zyrtar. Për Ezekiel, burime jozyrtare bëjnë me dije se një përplasje e mundshme me stafin teknik ka qenë ndër arsyet e largimit.
Në vijim, drejtuesit e klubit pritet të kryejnë edhe 3–4 afrime të tjera, me prioritet sigurimin e një portieri të dytë. Për pozicionet e tjera, vendimmarrja do t’i lihet trajnerit Çela dhe stafit teknik, në funksion të nevojave të skuadrës.
"KORCA BOOM"
















