Nga shtatori ndryshon loja, bizneset do të detyrohen të deklarojnë çmimet
- 3 days ago
- 2 min read
Nga muaji shtator, bizneset, kryesisht ato të mëdha, që tregtojnë produkte të shportës bazë do të detyrohen të raportojnë çmimet e produkteve të tyre në mënyrë periodike. Në monitorim do të përfshihen një sërë produktesh të konsumit të përditshëm, duke nisur nga ushqimet dhe pijet, deri te frutat, perimet dhe produkte të tjera bazë.
Nisma e re e Ministrisë së Ekonomisë synon të rrisë transparencën në treg dhe të identifikojë rastet kur çmimet pësojnë rritje të pajustifikuara. Për këtë qëllim, qeveria po punon për ngritjen e platformës PriceWatch Albania, e njohur ndryshe si “Pasqyrë Albania”, përmes së cilës qytetarët do të mund të kenë më shumë informacion mbi çmimet e produkteve në treg.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se platforma nuk do të shërbejë thjesht si një listë ku qytetarët mund të shohin çmimet, por do të përdoret edhe për të analizuar marzhet e fitimit dhe të gjithë zinxhirin e vlerës.
“Për çmimet po ndërtojmë këtë platformë e cila do të bëjë transparente çmimet e disa shitësve, ku qytetari të informohet ku çmimi është më i lirë. Qëllimi është analizimi i marzheve të fitimit dhe gjithë zinxhirit të vlerës. Nga fermeri deri te tregu i konsumatorit ka disa hallka dhe ne duhet të kuptojmë kush është hallka që çon në shumëfishim të çmimit”, është shprehur ministrja Ibrahimaj.
Prej kohësh, çmimet e produkteve të konsumit kanë qenë një shqetësim për qytetarët. Rritje të çmimeve janë konstatuar jo vetëm në supermarkete, por edhe në tregjet e frutave dhe perimeve, ndërsa produkte të tjera të përdorimit të përditshëm, si detergjentët, kanë pësuar gjithashtu rritje.
Pikërisht për këtë arsye, sipas Ministrisë së Ekonomisë, synimi nuk është vetëm publikimi i çmimeve, por edhe identifikimi i hallkës së zinxhirit që ndikon në rritjen e tyre.
Në ditët në vijim pritet që një vendim i Këshillit të Ministrave të përcaktojë mënyrën se si do të funksionojë platforma, cilat biznese do të jenë të detyruara të raportojnë dhe sa shpesh do të duhet të deklarohen çmimet.
Ministrja Ibrahimaj ka bërë të qartë se raportimi nuk do të lihet në vullnetin e bizneseve.
“Kompanitë të detyruara, jo vullnetare. Vullneti i mirë zgjat një muaj apo dy dhe ndodh çrregullim. Do kemi një VKM që do të thotë se cilat do të jenë bizneset dhe shpejtësia që do të raportojnë”, ka deklaruar ajo.
Përmes këtij mekanizmi, qeveria synon të krijojë një panoramë më të qartë të mënyrës se si formohet çmimi i një produkti, që nga prodhuesi apo fermeri, te distributori, tregtari dhe në fund konsumatori.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse transparenca e çmimeve do të sjellë edhe një ndryshim konkret në çmimet që paguajnë qytetarët. Publikimi i të dhënave mund të ndihmojë konsumatorët të zgjedhin ku blejnë më lirë, ndërsa analiza e zinxhirit të vlerës pritet t’i japë institucioneve një mundësi më të madhe për të identifikuar dhe ndërhyrë ndaj rasteve të abuzimit.
“KORÇA BOOM”
















