Njoftim i rëndësishëm për drejtuesit e mjeteve, kufizohet qarkullimi në Tunelin e Krrabës
Qarkullimi në Tunelin e Krrabës do të kufizohet gjatë orëve të natës për një periudhë deri në 20 ditë, për shkak të punimeve të planifikuara për pastrimin e mureve dhe pajisjeve të tunelit.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), punimet do të nisin të mërkurën, më 7 tetor, dhe do të zhvillohen çdo natë, nga ora 21:00 deri në 06:00.
Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi do të kryhet vetëm përmes njërit prej tubave të tunelit, ndërsa automjetet do të lëvizin në të dyja drejtimet.
Punimet do të nisin në tubin e drejtimit Elbasan–Tiranë. Ndërkohë, tubi në drejtimin Tiranë–Elbasan do të përdoret për qarkullimin e mjeteve në të dyja kahjet.
Gjatë ditës, nga ora 06:00 deri në 21:00, qarkullimi do të vijojë normalisht, me të dy tubat e tunelit në funksion.
Në orët kur do të zhvillohen punimet do të jetë e pranishme edhe Policia Rrugore, e cila do të monitorojë situatën dhe do të menaxhojë qarkullimin për garantimin e sigurisë së drejtuesve të mjeteve.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes gjatë kalimit në tunel, të respektojnë sinjalistikën e vendosur dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Punimet parashikohet të zgjasin deri në 20 ditë.
“KORÇA BOOM”
















