Një legjendë e mjekësisë shqiptare, Ahmet Hoxhallari, largohet nga jeta
- Oct 17, 2025
- 2 min read
Ndarja nga jeta e mjekut Ahmet Hoxhallari ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm në familjen dhe rrethin e tij të ngushtë, por edhe në gjithë komunitetin korçar e më shumë përkushtimin, humanizmin dhe ndershmërinë që e karakterizonte, ai u bë një nga figurat më të dashura dhe më të respektuara në mjekësinë shqiptare.
I lindur dhe i rritur në qytetin e Korçës, Ahmet Hoxhallari do të lidhte fatin e tij me profesionin e mjekut, duke i qëndruar besnik për gjithë jetën. Pas përfundimit të studimeve të larta në Mjekësi dhe specializimit si kirurg, ai do të shërbente për dekada me radhë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku shumë e kujtojnë si mjekun që nuk lodhej kurrë, që ishte gjithmonë i gatshëm, pavarësisht orarit apo ditës.
Me duar të sigurta dhe zemër të madhe, ai ka shpëtuar jetë, ka dhënë shpresë, ka mbështetur pacientë dhe familje të tëra, pa zhurmë dhe pa pretendime. Thjesht, siç dinë të bëjnë njerëzit e mëdhenj.Ishte njeri i heshtur, por me një ndikim të thellë te të gjithë ata që patën fatin ta njihnin nga afër.
Për punën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Korçës”, një vlerësim që pak vetë e kanë fituar me kaq dinjitet dhe modesti. Ai nuk e kërkoi kurrë lavdinë, por ajo e gjeti vetë, përmes punës së tij të ndershme dhe jetës së tij plot vlera.
Ahmeti ishte edhe mik i mirë, me humor të hollë, gjithmonë i qetë dhe i kuptueshëm, ai i lidhte njerëzit, i dëgjonte pa paragjykim dhe u qëndronte pranë në kohë të vështira. Kolegët e përshkruajnë si një shembull profesionalizmi, përkushtimi dhe etike, ndërsa miqtë si një njeri që e mbante fjalën dhe e ndante shpirtin.
Largimi i tij është një humbje e madhe.Por vepra e tij mbetet. Kujtimi i tij do të jetojë gjatë në memorien e atyre që i ka ndihmuar, të atyre që u ka shpëtuar jetën, të atyre që kanë parë nga afër sesi duhet të jetë një mjek, një qytetar dhe një njeri i vërtetë.
U prehsh në paqe, Ahmet.
Qyteti yt, njerëzit e tu dhe ata që të deshën, nuk do të të harrojnë kurrë.
“KORÇA BOOM”
















