Një moment tensioni në pjesën e dytë, trajneri Ndreu del jashtë kontrollit
- Korca Boom
- 7 hours ago
- 1 min read
Në pjesën e dytë të takimit, një nga momentet që tërhoqi vëmendjen dhe shkaktoi reagime ishte ndërhyrja e një prej lojtarëve të korçarëve ndaj Kacbufit. Një ndërhyrje që u vlerësua si e parregullt dhe me të drejtë gjyqtari Alla e ndëshkoi me karton të verdhë. Deri këtu, vendimi i arbitrit ishte korrekt dhe në përputhje me rregulloren.
Megjithatë, ajo që pasoi më pas ishte plotësisht e papranueshme dhe doli jashtë kornizave të sportivitetit. Trajneri i ekipit mik, Ndreu, hyri në fushë dhe shkoi drejt lojtarit të Skënderbeut, duke e tërhequr prej fanele, në një moment kur lojtari ishte i shtrirë në tokë dhe i dëmtuar. Ky veprim jo vetëm që ishte i panevojshëm, por edhe provokues dhe aspak i denjë për figurën e një trajneri, i cili duhet të shërbejë si shembull korrektësie dhe edukate sportive.
Një sjellje e tillë nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë, pasi cenon etikën e lojës dhe imazhin e futbollit. Në këtë situatë, gjyqtari Alla duhej të kishte reaguar më ashpër, duke ndëshkuar trajnerin Ndreu jo vetëm me karton të verdhë, por edhe me karton të kuq, pasi veprimi i tij përbënte ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe sjellje josportive ndaj një lojtari të dëmtuar.
Raste të tilla duhet të marrin vëmendjen maksimale nga arbitrat, në mënyrë që të mos tolerohen sjellje që dëmtojnë frymën e fair-play-it dhe rolin edukues që duhet të ketë futbolli, sidomos nga persona që kanë përgjegjësi të mëdha si trajnerët.
"KORCA BOOM"



















