top of page

Një pemë e madhe që më rriti: Kujtime dhe emocione nga korridoret e gjimnazit “Themistokli Gërmenji”

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 1 hour ago
  • 3 min read

Nga Zhuljeta Çina Grabocka, ish-nxënëse e Gjimnazit “Themistokli Gërmenji”, Korçë


Shtatori i vitit 1968 shënoi fillimin e një etape të re për mua: hyrjen si nxënëse në gjimnazin e qytetit tim, “Themistokli Gërmenji”. Nuk isha më vajza e vogël që endet nëpër korridore shoqëruar nga prindërit; këtë herë hyja vetë, me bangën time, librat e rinj dhe emocionin e një fillimi të madh.


Gjithçka më dukej e ndritshme: rregulli shembullor, pastërtia dhe hijeshia e godinës së re.


Gravura e fasadës, që zbukuronte mjedisin dhe syte tanë të rinj plot ëndrra, dukej si simbol i filizit të sapoçelur që do të bëheshim ne. Thuajse çdo nxënës ndjente veten pjesë të atij vizioni, ulur në rrënjët e një peme që do të na rrite të gjithëve.


Holli i gjerë, dritaret e mëdha që sillnin gjithë dritën e diellit korçar, palestra moderne gjithçka krijonte atmosferën e një shkolle bashkëkohore për kohën. Nga kati i tretë vinin tingujt e pianos dhe violinës së nxënësve të Shkollës së Muzikës, të cilët ushtroheshin çdo ditë. Tingujt e tyre i përzienin magjishëm emocionet tona, duke i dhënë çdo ore një bukuri të veçantë.


Në qytetin e Mësonjëtores së Parë Shqipe, ky gjimnaz u bë një vatër dijesh, kulture dhe ëndrrash. Në krye qëndronte drejtori vizionar Ilia Treska, i cili me qetësi dhe përkushtim e mbante shkollën si institucion model. Krah tij, këshilli pedagogjik ishte zemra e jetës sonë shkollore, një trupë mësuesish që jo vetëm jepnin dije, por rrezatonin urtësi dhe dashuri për nxënësin.


Mes tyre kujtoj me respekt të thellë mësuesit Sulejman Kadiu, Dhimitër Postoli, Lazar Ikonomi, Gaqo Opari, Franklin Xega, Zhuljeta Kaskaviqi dhe shumë të tjerë që mbetën gurë themeli në formimin tonë. Kujtoj manifestimet konkuruese për festën e 1 Majit dhe ushtrimet artistike të përgatitura nga mësuesit e edukimit fizik, Anthi Marashi dhe Kiço Nuke.


Mësuesit tanë kthenin çdo orë në një mësim jete. Ata mbillnin tek ne jo vetëm njohuri, por edhe dashuri për të menduar, kërkuar dhe ditur më shumë. Me nderim kujtoj të gjithë stafin pedagogjik, veçanërisht mësuesen kujdestare Nikoleta Mani dhe mësuesen e letërsisë Dhorkë Qafeci, e cila ndezi brenda meje dashurinë për poezinë dhe fjalën e bukur, duke më dhënë krahë të ëndërroja.


Ndikimi i tyre nuk u ndal vetëm te vitet e mia si nxënëse. Ata u bënë shembull dhe udhërrëfyes në rrugën time 37-vjeçare si mësuese e letërsisë shqipe. Prej tyre mësova se mësimdhënia nuk është vetëm profesion, por mision i shpirtit për të rritur njeriun si qenie të realizuar.


Gjimnazi më mëkoi dashurinë për gjuhën shqipe, për artin dhe kulturën tonë kombëtare, pjesë të pandara të kulturës botërore. Korça, djepi i Mësonjëtores së Parë Shqipe, është krenaria e arsimit dhe kulturës shqiptare, dhe unë pata fatin të rritesha në këtë traditë të ndritur.


Vitet e gjimnazit qenë vite formimi të shumëanshëm: arsimi shoqërohej me punë prodhuese, aksione vullnetare, stërvitje ushtarake dhe përgjegjësi ndaj shoqërisë. Kujtoj me nostalgji udhëtimet në Bilisht, Dvoran e Sarandë, ku perëndimet e detit na fiksonin përjetësisht bukurinë e jetës. Në atë pemëtore të fisnikërisë u rritën miqësitë, pasionet, ëndrrat dhe idealet tona.


Ishte koha kur shokët dhe shoqet më besuan t’i përfaqësoja në komitetin e rinisë dhe këshillin pedagogjik, përgjegjësi që më bënë të rritem dhe të kuptoj se ç’do të thotë të jesh zëri i të tjerëve. Ishin vite të ndritshme, plot ndjenja, dije, shpresë dhe optimizëm.


Sot, pas 60 vitesh, gjimnazi “Themistokli Gërmenji” ka ndryshuar pamje, por jo shpirt. Ai ecën me ritmet e kohës, me teknologjinë dhe programet bashkëkohore, por ruan të njëjtën frymë dashurie për dijen dhe formimin e njeriut. Nxënësit e rinj dhe mësuesit e sotëm janë prova se shkolla nuk plaket kurrë, por përtërihet me çdo brez që hyn në dyert e saj.


Ky gjimnaz mbetet një pemë e madhe, me rrënjë të thella në dashuri, përkushtim dhe kujtime. E shoh me krenari teksa lulëzon sërish, duke mbartur në degët e tij frymën e përjetshme të dijes dhe fisnikërisë njerëzore.


Gëzuar 60-vjetorin, gjimnazi im! Në ty nisa të ëndërroja, por mbi të gjitha mësova të besoj se në jetë duhet ndershmëri, këmbëngulje dhe besim se çdo problem ka një zgjidhje. Sa herë të kthehem, aty gjej një pjesë të shpirtit tim.


Tiranë, më 7 dhjetor 2025

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page