top of page

Një tjetër fatkeqësi për familjen Halili: Nëna e Sulo Halilit ndërron jetë pas atakut kardiak

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 2 min read

Një tjetër fatkeqësi e rëndë ka goditur familjen Halili nga Tepelena. Nëna e 27-vjeçarit Sulo Halili, i cili u gjet i vrarë dhe i djegur në Greqi disa ditë më parë, ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak që dyshohet se u shkaktua nga tronditja e thellë për humbjen e djalit të saj të vetëm.


E ndjera ishte në gjendje të rënduar emocionale që prej 8 nëntorit, ditës kur u konfirmua se trupi i gjetur i karbonizuar në zonën e Skourtas, në Beoti, i përkiste Sulo Halilit – një i ri shqiptar që punonte si ndërtues në Greqi. Lajmi për vdekjen e tij e kishte tronditur thellë familjen dhe komunitetin në Tepelenë.


Zbardhen rrethana të reja për krimin e rëndë në Greqi

Sipas mediave greke, 27-vjeçari dyshohet se ishte joshur përmes një aplikacioni takimesh nga një grua në zonën e Vilias, ku mendohej se do të zhvillohej një takim. Në vend të një takimi të zakonshëm, ai është rrëmbyer dhe torturuar për orë të tëra, përpara se të qëllohej dhe trupi t’i digjej brenda automjetit.


Hetuesit grekë po analizojnë me kujdes çdo detaj, ndërsa kanë bërë të ditur se automjeti ku u gjet trupi ishte i vjedhur më parë në Glyfada dhe mbante targa të falsifikuara, të marrë nga një tjetër automjet në Pieria. Ky fakt, sipas policisë, forcon dyshimet për përfshirjen e një grupi të organizuar kriminal.


Dyshohet gjithashtu se Sulo Halili mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas trupi i tij të jetë transportuar e djegur në Skourta, për të zhdukur çdo gjurmë të krimit.


Hetimet vijojnë – telefoni i viktimës, prova kyçe

Një element i rëndësishëm i hetimit është telefoni celular i viktimës, i cili ende nuk është gjetur. Sipas burimeve policore, ai mund të përmbajë komunikimet e fundit të 27-vjeçarit dhe të ndihmojë në identifikimin e personave me të cilët ai ka pasur kontakt përpara zhdukjes.


Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe banorët e zonave të Halkidës e Beotisë, të cilët flasin për një krim me egërsi të pazakontë. Autoritetet greke deklarojnë se hetimet janë në fazën përfundimtare dhe se identifikimi i autorëve të dyshuar është tashmë çështje kohe.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page