Një tjetër thesar ikonografik i shpëtuar – Restaurohet në Muzeun e Artit Mesjetar ikona “Pagëzori”
- Korca Boom
- 5 days ago
- 1 min read
Një ndër ikonat më të rralla të artit bizantin në Shqipëri, vepra e njohur si “Pagëzori”, është restauruar me sukses pas një procesi disa mujor në laboratorin e specializuar të Restaurimit dhe Konservimit pranë Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë.
Kjo ikonë, e cila daton në fillim të shekullit XIX dhe mban autorësi anonime, është një dëshmi e çmuar e trashëgimisë shpirtërore dhe artistike të kohës. Ajo përfaqëson skenën biblike të pagëzimit të Krishtit dhe është realizuar me teknikë të imët në dru, në stilin tradicional të shkollës së pikturës post-bizantine që ishte aktive në zonën e Korçës dhe më gjerë në atë periudhë.
Gjatë dekadave, kjo vepër kishte pësuar dëmtime të konsiderueshme si pasojë e kushteve natyrore dhe kalimit të kohës. Restaurimi i saj është kryer me kujdes të veçantë, duke respektuar teknikën origjinale, pigmentet e përdorura dhe strukturen bazë të veprës, me qëllim ruajtjen e autenticitetit historik dhe artistik.
Puna intensive e specialistëve ka arritur jo vetëm të shpëtojë ikonën nga degradimi, por edhe t’i rikthejë asaj ngjyrat, detajet dhe dritën shpirtërore që mbart, duke e kthyer në një objekt me vlerë të lartë për vizitorët dhe studiuesit.
Muzeu i Artit Mesjetar, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend, vazhdon të luajë një rol thelbësor në ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë ikonografike. Restaurimi i “Pagëzorit” është një tjetër dëshmi e këtij angazhimi dhe një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit tonë kulturor.

“KORÇA BOOM”