top of page

Policia “hiqet” nga rruga, por gjobat shpërthejnë në gjithë vendin

  • May 1
  • 1 min read

Me porosi të Policia e Shtetit, është vendosur një qasje e re në monitorimin e qarkullimit rrugor në të gjithë vendin. Policët rrugorë janë tërhequr nga postblloqet tradicionale për kontrolle rutinë, por kjo nuk do të thotë se drejtuesit e mjeteve do t’i shpëtojnë ndëshkimeve.


Në vend të pranisë fizike në rrugë, tashmë janë intensifikuar kontrollet përmes mjeteve inteligjente, me fokus rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve. Monitorimi është përqendruar veçanërisht gjatë fundjavave, në akset nacionale drejt zonave turistike dhe bregdetare, ku vihet re një rritje e ndjeshme e qarkullimit.


Vetëm gjatë javës së fundit, në të gjithë vendin janë vendosur rreth 26 mijë masa administrative për shkelje të ndryshme. Ndër to përfshihen mospërdorimi i kaskës mbrojtëse, mosvendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara, drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit, si dhe manovra të rrezikshme apo zhurma shqetësuese.


Paralelisht me gjobat, autoritetet kanë ndërmarrë edhe masa më të rrepta ndaj shkelësve. Janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, nga të cilët 26 për drejtim në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim pa leje drejtimi.


Kontrollet janë shtrirë edhe në qendrat e banuara, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin e mjeteve të emergjencës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Për lirimin e hapësirave publike është përdorur karrotreci, duke zhvendosur 258 automjete të parkuara në kundërshtim me rregullat.


Kjo strategji e re synon të rrisë efektivitetin e kontrollit në rrugë përmes teknologjisë, duke minimizuar praninë fizike të policisë, por duke shtuar ndëshkimet për çdo shkelje që rrezikon jetën e përdoruesve të rrugës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page