top of page

Në Korçë mashtronin në emër të bamirësisë, ja kush janë dy të arrestuarit

  • Jun 14
  • 1 min read

Dy persona janë vënë në pranga në qarkun e Korçës, të dyshuar për ngritjen dhe funksionimin e një skeme të organizuar mashtrimi financiar që kishte në shënjestër shtresat më vulnerabël të shoqërisë.


Sipas informacioneve paraprake, të arrestuarit, A H dhe P. Z u prezantoheshin viktimave si përfaqësues të një shoqate bamirësie që shpërndante ndihma për persona në nevojë. Ata synonin kryesisht individë me vështirësi ekonomike, si edhe persona me aftësi të kufizuara intelektuale, duke përfituar nga gjendja e tyre për t’u fituar besimin.


Pasi krijonin kontakte me viktimat dhe i bindnin se do të përfitonin ndihma apo mbështetje financiare, të dyshuarit siguronin fotografi të kartave të identitetit dhe të dhëna të tjera personale. Më pas, pa dijeninë dhe pa miratimin e personave të përfshirë, këto të dhëna përdoreshin për të aplikuar për kredi online pranë institucioneve të mikrokredisë.


Hetimet kanë zbuluar se aplikimet kryheshin në emër të viktimave, të cilat në shumë raste nuk kishin dijeni se mbi identitetin e tyre ishin marrë detyrime financiare. Një nga institucionet e përdorura në këtë skemë dyshohet të ketë qenë edhe IUTE Credit.


Autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar numrin e plotë të personave të dëmtuar dhe për të verifikuar vlerën totale të kredive të përfituara nëpërmjet kësaj skeme të dyshuar mashtrimi.


Ndërkohë, policia u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm në dhënien e dokumenteve personale dhe të denoncojnë çdo rast të dyshimtë që lidhet me përdorimin e të dhënave të tyre.

“KORÇA BOOM”


bottom of page