top of page

Opinion nga analisti sportiv Petrika Vangjeli: Risku i KF Skënderbeut...

  • 4 days ago
  • 2 min read

Që në startin e Kategorisë së Parë 2025–2026, nuk kam qenë i bindur në potencialin real të kësaj skuadre, as në merkaton e zhvilluar nga klubi dhe as në ruajtjen e boshtit të ekipit që ra nga Kategoria Superiore.


Në emisionin “Studio Sport” në RTSH Korça, ku kam qenë i ftuar që në nisje të sezonit, kam shprehur vazhdimisht rezervat dhe dyshimet e mia objektive mbi formën dhe lojën e zhvilluar nga Skënderbeu gjatë gjithë kampionatit.


Mënyra se si presidenca dhe stafi drejtues iu qasën këtij sezoni, duke nënvlerësuar nivelin e kundërshtarëve dhe rivalëve për ngjitjen direkte, tregon një lloj neglizhence që vë në dyshim arritjen e objektivit madhor. Kjo qasje mund të konsiderohet si një “bast”, dhe si çdo bast, mbart riskun e vet. Mund të fitosh disa ndeshje në minutat e fundit, por vjen një moment kur edhe fati të kthen shpinën.


Në këndvështrimin tim, është e çuditshme sesi kjo skuadër ka arritur të kryesojë kampionatin deri tani. Emri dhe pesha e fanellës së Skënderbeut kanë ndikuar dukshëm edhe te mentaliteti i kundërshtarëve. Megjithatë, duket se një pjesë e skuadrës aktuale nuk e kupton plotësisht përgjegjësinë e kësaj fanele.


Ndeshja ndaj Korabit tregoi qartë se respekti ndaj historisë së klubit dhe fitoret e ardhura në minutat shtesë kanë arritur limitin e tyre.


Nga ana teknike, edhe pas afrimeve të merkatos së janarit, skuadra nuk ka arritur të rrisë nivelin e lojës, duke mbetur e varur nga individualitetet, kryesisht nga Nasri. Në aspektin taktik, mungon një plan alternativ, ndërsa loja mbetet e lexueshme, me pak presing ofensiv dhe shpesh e bazuar në topa të gjatë apo zgjidhje kaotike.


Edhe në mbrojtje, gabimet e shpeshta në qendër kanë kushtuar pikë të rëndësishme, duke treguar se skuadra nuk ka bërë progres krahasuar me sezonin e kaluar. Përkundrazi, duket në stanjacion dhe jo në evolucion.


Urojmë që në 6 ndeshjet e mbetura Skënderbeu të arrijë objektivin, por ndeshje si kjo e fundit janë pasqyra e një sezoni të nisur me risk të lartë dhe që po mbyllet po ashtu me të njëjtin risk.

“KORÇA BOOM”


bottom of page